Telegrami pati raportuar ekskluzivisht për skandalin me kasafortë që kishte ndodhur në Presidencë, vetëm një ditë pasi që Hashim Thaçi kishte dhënë dorëheqje nga pozita e presidentit dhe në vend të tij si u.d. ishte bërë Vjosa Osmani, që në atë kohë ishte kryeparlamentare.
Një zyrtar i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dyshohet se kishte tentuar të “avullonte” dokumente “Sekrete” dhe “Top Sekrete” nga kasaforta e Presidencës.
Këtë “ndërhyrje” të AKI-së, presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, e kishte denoncuar edhe në prokurori.
Lidhur me këtë rast sot është shkarkuar sekretari i Presidencës, Driton Gashi.
Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar këshilltari për media në presidencë, Bekim Kupina.
“Komisioni i themeluar me vendim Ad hoc për nivelin e lartë drejtues, me vendim të u.d. Presidentes Osmani, më 20 janar 2021, në rastin diciplinor ndaj z.Driton Gashi, sekretar në zyrën e Presidencës, ka përmbyllur shqyrtimin e këtij rasti dhe ka vendosur unanimisht shqiptimin e masës diciplinore: largim nga shërbimi civil dhe e ka obliguar zyrën e Presidentes për zbatimin e këtij vendimi”, tha Kupina.