Ronald Koeman synon të lërë gjurmë në ekipin e Barcelonës, pasi e braktisi Kombëtaren e Holandës për t’u emëruar trajner i klubit për të cilin kishte luajtur dikur.
Në parim, stili i lojës i kaltërekeqve, i bazuar në zotërim të topit, do të mbetet i paprekur, por Koeman ka për qëllim ta krijojë një skuadër më të drejtpërdrejt dhe më të gjallë, të cilën paraardhësit e tij Ernesto Valverde dhe Quique Setien nuk ishin në gjendje ta formonin, transmeton Gazeta Express.
Diçka që duhet kuptuar është se holandezi nuk është trajner që e përdor vetëm një sistem të lojës.
Gjatë kohës së tij në krye të Holandës, Koemanit i pëlqente të luante me sistemin 4:3:3, me dy mesfushorë qendrorë dhe një mesfushor më të avancuar.
Ishte njëri prej atyre roleve qendrore në të cilat Frenkie de Jong shkëlqeu për Ajaxin dhe mahniti për skuadrën holandeze të Koemanit.
Nëse, sic pritet, Koeman e vendos De Jongun në pozitën e tij të parapëlqyer, atëherë Sergio Busquets do të flijohet.
Koemanit i pëlqen të ketë lëvizshmëri dhe gjallëri në mesfushë, edhe pse shpesh luan me një mesfushor të vendosur, po ashtu.
Në atë pozitë mund të luajë blerja e re, Miralem Pjanic.
Në rolin e mesfushorit më të avancuar, Georginio Wijnaldum shkëlqeu në ekipin holandez të Koemanit.
Prandaj, nuk është çudi që trajneri i Barcelonës është i interesuar ta sjellë atë në Camp Nou nga Liverpooli këtë verë.
Nëse Wijnaldum nuk vjen, atëherë ai rol mund t’i takojë Philippe Coutinhos.
Në krahët e sulmit, Koemanit i pëlqen që anësorët të jetë të drejtpërdrejt dhe të përbëjnë kërcënim për portën kundërshtare.
Ansu Fati i përshtatet atij profili mbase më mirë se çdo kush tjetër në Camp Nou, ndërsa nga ky sistem mund të përftojë edhe Ousmane Dembele.
Në sulm, nëse Lautaro Martinez nuk vjen, atëherë Antoine Griezmann do ta udhëheqë vijën e sulmit.
Nëse Griezmann fiton vend titullari përkrah Messit, atëherë Koeman do të luajë me sistemin 4:2:3:1, me kapitenin prapa ish-sulmuesit të Atletico Madridit.
Në aspektin taktik, Koemanit i pëlqen t’i bëjë presion kundërshtarit, diçka që nuk është parë në Barcelonën e viteve të fundit.