Rritja e rasteve me COVID-19 ka rënduar sistemin shëndetësor në disa shtete, teksa pandemia ka vrarë më shumë se tre milionë persona në mbarë botën.
Spitalet në Indi kanë bërë thirrje që të furnizohen me oksigjen, teksa kriza shëndetësore në këtë shtet po përkeqësohet. Më 23 prill, India ka raportuar mbi 330,000 infektime të reja – shifra më e lartë brenda një dite që ndonjë shtet ka regjistruar – dhe mbi 2,000 viktima.
Shumë pjesë të shtetit kanë ashpërsuar masat, përfshirë New Dehlin si dhe shtetin verior Uttar Pradesh, që ka hyrë në izolim gjatë kësaj fundjave.
Ndërkaq, në Australi është vendosur izolim treditor për shkak të rritjes së infektimeve.
Japonia, në anën tjetër, ka shpallur gjendje emergjente në Tokio dhe në tri rajone të tjera për shkak të rritjes së rasteve. Masat do të jenë në fuqi nga 25 prilli deri në 11 maj, transmeton REL.
Në Gjermani, numri i infektimeve ditore vazhdon të jetë i lartë dhe më 23 prill ky shtet ka regjistruar mbi 23,000 infektime.
Gjermania dhe shtetet e tjera evropiane po ndërmarrin masa për të përshpejtuar programet e tyre të vaksinimit.
Belgjika, ndërkaq, ka thënë se do të ketë vaksina të mjaftueshme që të vaksinojë 70 për qind të popullsisë së rritur deri në korrik