Dega e Alternativës në Prishtinë ka njoftuar se ka ndërprerë zyrtarisht çdo bashkëpunim me partinë Alternativa. Arsye për këtë thonë se kanë qenë veprimet autoritare të kryetares së kësaj partie Mimoza Kusari –Lila.
“Alternativa, e cila, ndonëse do të duhej të ishte sinonim i promovimit të frymës së liberal-demokracisë, falë veprimeve pas shpine, e shpeshherë edhe autoritare të kryetares Kusari-Lila dhe një grupi të ngushtë përreth saj, ndikoi në përçarjen e pariparueshme të partisë”, thuhet në njoftimin e degës së Alternativës në Prishtinë.
Dega e Alternativës në Prishtinë, thekson se duke i mbetur besnike parimeve të liberal-demokracisë dhe shtyrjes përpara të interesave publike, bëri gjithçka në fuqinë e saj për të ruajtur idenë mbi të cilën edhe ishte themeluar si projekt politik.
“Mirëpo, ky synim i kësaj dege, dhe i një pjese të konsiderueshme të degëve dhe anëtarësisë së Alternativës në nivel vendi, u anashkalua paturpësisht nga kryetarja Kusari-Lila dhe grupi i saj, për të çuar përpara projekte dhe ide me leverdi personale e grupore, duke anashkaluar apo nëpërkëmbur kështu të gjitha organet kryesore partiake”, thekson tashmë ish-dega e Alternativës në Prishtinë.
“Ne, si Alternativë e Prishtinës, nuk kemi qenë dhe as nuk do të jemi asnjëherë pjesë e lojërave të tilla. Së këndejmi, për hir të të së vërtetës, dhe përgjegjësisë që kemi ndaj atyre që na besuan dhe na besojnë ende, njoftojmë opinionin e gjerë publik se, nga sot e tutje e ndërpresim edhe zyrtarisht çfarëdo formë të të bashkëpunimit dhe komunikimit me Alternativën, si parti”, thuhet në fund të komunikatës së ish degës së Alternativës në Prishtinë.