Pep Guardiola dështoi sërish të fitojë Ligën e Kampionëve me Manchester City, ndonëse gjatë 4 sezoneve në pankinën e “Citizens” ka shpenzuar rreth një miliard euro dhe ka marrë thuajse të gjithë futbollistët që ka dëshiruar.
Trajneri spanjoll nuk u ka shpëtuar kritikave të mediave britanike, të cilat e kanë “masakruar” pas eliminimit ndaj Lyonit në fazën çerekfinale të kompeticionit dhe e ka cilësuar si fajtorin e vetëm për humbjen ndaj francezëve.
“Edhe sa duhet të presim Pep?”, shkruan një nga mediat angleze, duke iu referuar faktit që trajneri spanjoll nuk triumfon më në Ligën e Kampionëve, që kur iku nga Barcelona, skuadër me të cilën e fitoi dy herë trofeun “me veshë të mëdhenj”.
Një tjetër tabloid kritikon spanjollin për ndryshimin e skemës për ndeshjen ndaj Lyonit dhe lënien në pankinë të disa lojtarëve të rëndësishëm, si Bernardo e David Silva, Otamendi, etj., ndërsa kritikave nuk u shpëtoi as sulmuesi anglez, Raheem Sterling, për shpërdorimin e një rasti me portën bosh.
Edhe vetë Guardiola në një intervistë të dhënë pak ditë më parë pati pranuar se nëse nuk ia del të fitojë Ligën e Kampionëve me Manchester City-n, mund të quhet i dështuar, ndërsa tani në Angli kanë filluar të hedhin pikëpyetje edhe për të ardhmen e trajnerit spanjoll