Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka autorizuar Policinë e Kosovës, për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me kërcënimin që i është bërë më 10 prill 2020, Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, përmes rrjeteve sociale, raporton Express.
Përmes një komunikate drejtuar mediave, është bërë me dije se Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës janë duke punuar për zbardhjen e identitetit të vërtetë të personit në fjalë.
“Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës janë duke punuar për zbardhjen e identitetit të vërtetë të personit në fjalë, si dhe do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me këtë rast”, thuhet në komunikatë.
Ndryshe, Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është kërcënuar me jetë përmes rrjetit social Facebook mëngjesin e së premtes.
Kërcënimi ndaj kreut të Lëvizjes Vetëvendosje ka ardhur nga një person me emrin e Facebook-ut, Daniel Arianitti.
Ai ka thënë se jep dëmshpërblim prej 10 milionë eurove në këmbim “të kokës së Albinit”, të cilin e ka krahasuar me ish-liderin e Kubës, Fidel Castron.
“10 milion euro kush ma sjell kokën e Albinit, Fidel Castros, psikopatit shqiptar”, ka shkruar ai në Facebook