Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se në bankën qëndrore Kosova ka mbledhur më shumë se 1 miliard euro nga ATK e Doganat.
Ai tha se nëse vetëm gjysma e këtyre fondeve të kthehej në këtë periudhë përmes programeve kreative atëherë do të kishte ndikim të madh.
“Krejt bota merr kredi për të futur kapital të shumënevojshëm në ekonomi, ne kemi marr para nga ekonomia dhe po i mbajmë në bankë. PRA, përveç krizës ne kemi marr nga qytetarët dhe nuk kemi gjet mënyrë me e kthy. Ne spaskemi nevojë as të kreditohemi as të shpikim shpenzime e transfere nga trusti. Vetëm gjysma e këtyre fondeve të kthehej në këtë periudhë përmes programeve kreative do të kishte ndikim të madh”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.
Ai tha se nga ndalimi i investimeve kapitale e deri tek moslëvizja e qytetarëve, deri tani janë akumuluar fonde marramendëse.
Postim i plotë i Ahmetit:
Bashkqytetarë të nderuar:
Paradoksi më i madh i situatës në Kosovë që ka pasoja marramendëse tek ne!
Shteti/qeveria i/e Republikës së Kosovës i ka në bankë qendrore të mbledhura nga ATK e Doganat e të pashpenzuara sot më 18 Nëntor 2020 më shumë se 1 (miliardë) Euro.
Po, Po mirë e lexuat – 1 MILIARDË EURO!
Prej vendimeve që qeverisë së kaluar për ndalimin e Investimeve Kapitale e deri te moslëvizja e qeverisë së tanishme janë akumuluar fonde marramendëse. Kur teoria kryesore në krejt botën është e shpenzimeve e kërkesës agregate, ne kemi shkuar në drejtimin e kundërt me kursime.
Krejt bota merr kredi për të futur kapital të shumënevojshëm në ekonomi, ne kemi marr para nga ekonomia dhe po i mbajmë në bankë. PRA, përveç krizës ne kemi marr nga qytetarët dhe nuk kemi gjet mënyrë me e kthy.
Ne spaskemi nevojë as të kreditohemi as të shpikim shpenzime e transfere nga trusti. Vetëm gjysma e këtyre fondeve të kthehej në këtë periudhë përmes programeve kreative do të kishte ndikim të madh.
Nuk është koha për konzervatizëm e kontabilitet. Është koha për kreativitet e shpenzim.