Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, ka mbajtur një takim pune me drejtuesit e Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës.
Në takim është diskutuar në lidhje me zbatimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për pagesën shtesë prej 300 eurove për punëtorët shëndetësorë, për muajin korrik dhe gusht.
Krasniqi ka njoftuar drejtuesit e Federatës Sindikale të Shëndetësisë, në ldhje me hapat që ka ndërmarrë ShSKUK, për zbatim të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Ai bëri të ditur se ka formuar një komision, i cili do të punojë në këtë drejtim, për çka u pajtuan edhe drejtuesit e FSSHK-së.
“Komisioni do të punojë ngushtë me drejtorët e klinikave të QKUK-së dhe njësitë tjera përbërëse të ShSKUK-së, me qëllim të eleminimit të keqkuptimeve dhe keqinterpretimeve. Menaxhmenti i ShSKUK-së siguron të gjithë punëtorët se nuk ka dorëzuar listë me punëtorët, që ju takon kjo shtesë në ministritë përkatëse, deri në pëfundim të punës së komisionit”, njofton Shërbimi Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës.