Policia e Kosovës do rishikojë punën e saj në komunikacion rrugor pas aksidenteve fatale të cilat kanë ndodhur.
Drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, në një konferencë për shtyp me gazetarë ka deklaruar se policia do e digjitalizojë punën e saj në kontrollin e trafikut rrugor.
Sipas tij, me digjitalizimin, një shofer do të gjobitet pa u ndaluar nga policia dhe faturën për shkeljen e rregullave të trafikut do e pranojë në shtëpi. Ai ka thënë se do të ketë edhe ndryshime ligjore të cilat i paraprijnë këtij procesi.
Drejtori i policisë thotë se janë duke punuar për sigurimin e këtyre pajisjeve të cilat do të aplikohen për kontrollimin e trafikut.
“Mundësitë digjitale janë që gjoba të shqiptohet pa e ndaluar shoferin. Jemi duke punuar për sigurimin e këtyre mjeteve dhe në një periudhë të shkurtë do të implementojmë në terren. Pra gjoba do të shqiptohet edhe në formë elektronike. Është edhe iniciativa për ndryshimin e ligjit në komunikacion rrugor e cila parasheh që përgjegjësia të kalojë nga vozitësi tek pronari i automjetit”, ka thënë ai.
“Drejtori i Policisë ka deklaruar se nuk është i kënaqur me dënimet të cilat po shqiptohen nga Gjykatat të cilat i konsideron si të buta në raport me shkeljet të cilat po ndodhin në trafik nga ana e vozitësve. Nuk jemi të kënaqur me dënimet e ulëta të cilat po i marrin individët të cilët shkaktojnë aksidentet me fatalitet”, ka thënë Mehmeti.