Një ngjarje kriminale është parandaluar pasditen e sotme në Tiranë, pasi dy persona fillimisht janë përleshur me grushta dhe më pas situata ka agravuar deri në atë masë sa njëri nga personat, ka marrë veturën dhe ka sulmuar me mjet, makinën e personit tjetër.
Situata e nxehtë, është zgjidhur falë një agjenti policie, që është ndodhur krejt rastësisht në vendngjarje. Në pamjet filmike, efektivi i policisë ka parë të gjithë situatën, përplasjen fizike dhe më pas përplasjen e dy automjeteve, ku personi me bluzë të kuqe në mënyrë të vazhdueshme ka dashur ta godasë makinën e personit tjetër.
Pikërisht ky është momenti kur punonjësi i policisë i veshur civil, ka nxjerrë armën e shërbimit dhe ka ndërhyrë menjëherë me qëllim neutralizimin dhe arrestimin e tij.
Punonjësi i policisë ka kërkuar që ta ulë në tokë, por personi me bluzë të kuqe nuk i është bindur, derisa në vendngjarje kanë shkuar punonjës të tjerë të policisë, të cilët kanë arritur t’i vendosin prangat.
Kjo përplasje fizike dhe goditja me makinë është parë nga shumë persona, banorë që jetojnë nga dy anët e bulevardit “Migjeni” në Yzberisht.
Personi me bluzë të kuqe ende i paidentifikuar për momentin, sipas njërës nga vajzave që ndodhej në këtë konflikt, sapo kishte dalë nga burgu.
Në britmat e saj, drejtuar çiftit të bashkëshortëve që po sulmoheshin, nga personi me bluzë të kuqe, ajo i ka pohuar se “…pse e shave, sapo ka dalë nga burgu…”.
Konflikti dyshohet se lindi nga një zënkë banale e cila më pas solli këtë ngjarje, që fatmirësisht përfundoi pa lëndime. Policia ka ushtruar kontroll në dy automjetet e personave të përfshirë në konflikt.
Aktualisht efektivë të komisariatit nr.6, janë duke kryer veprime hetimore dhe pritet që në ditët në vijim kjo çështje të hetohet nga prokuroria e Tiranës.