Kroacia njoftoi të enjten për shërimin e një pacienti nga koronavirusi.
“Një i ri që është diagnostikuar me koronavirus më 26 shkurt, është lëshuar nga Klinika e Sëmundjeve Infektive ‘Dr Fran Mihajleviq’, në Zagreb”, tha në një konferencë për gazetarë ministri kroat i Shëndetësisë, Veli Berosh.
I riu doli negativ në dy teste të njëpasnjëshme për koronavirus dhe tani është në kujdes shtëpiak, tha ai.
Autoritetet po ashtu njoftuan se në Kroaci janë shfaqur edhe pesë raste të reja me koronavirus dhe se të gjitha ato kanë lidhje me të sëmurët e mëparshëm.
Rrjedhimisht, numri total i të sëmurëve në Kroaci është 24.
Koronavirusi, i cili shkakton sëmundjen e identifikuar si COVID-19, besohet se e ka origjinën në Kinë.
Pas shfaqjes së rasteve të para atje në muajin dhjetor, edhe dhjetëra vende të botës kanë raportuar të tilla.
Në mesin e vendeve të goditura më së keqi në Evropë është Italia.
Nga vendet e Ballkanit, aktualisht vetëm Kosova dhe Mali i Zi nuk kanë raste të regjistruara me koronavirus.
Sipas shifrave të fundit, mbi 4,600 njerëz kanë humbur jetën nga koronavirusi.
Në të gjithë botën, numri i të infektuarve ka arritur në mbi 126 mijë.