Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, e ka cilësuar si ngjarje partiake, besimin që i ka dhënë Ramush Haradinajt Këshilli Drejtues i AAK-së për të qenë kandidat për President.
“Është e drejtë e plotë e AAK-së. Është ngjarje partiake që e respektojmë”, ka thënë Gashi për klankosova.
“Nuk kemi marrëveshje për Presidentin”, ka theksuar ai.
Kujtojmë që sot, ish-Kryeministri Ramush Haradinaj ka konfirmuar se partia e tij i ka dhënë besim që AAK-ja të kërkojë nga partneret e tij të koalicionit kandidimin e tij për president të ardhshme të vendit, pas përfundimit të mandatit të Presidentit Thaci, pranverën e vitit të ardhshëm.
Po ashtu, kryetari i AAK-së njoftoi se në mbledhjen e tij me strukturat udhëheqëse të Aleancës ka marrë mbështetjen e partisë që të zhvillojë bisedimet eventuale për rikofigurim të qeverisë.
“Besimin që unë të jem kandidat për president, nëse kjo diskutohet në bazë të kushtetutës, e konsideroj si përgjegjësi të lartë dhe nder të veçantë”, ka shkruar, në facebook, Haradinaj pas mbledhje së AAK-së.