Shtetet e Bashkuara të Amerikës thonë se ka marrë kontrollin e katër anijeve me karburant iranian që po dërgoheshin në Venezuelë.
Ky është konfiskimi më i madh që SHBA bën ndaj karburantit iranian.
Rreth 1.1 milion fuçi karburanti u konfiskuan “me ndihmën e partnerëve të huaj”, sipas Departamentit të Drejtësisë. Uashingtoni tha se dërgesat shkelin sanksionet e SHBA.
Ambasadori i Iranit në Venezuelë pohoi se as anijet dhe as pronarët e tyre nuk ishin iranianë.
Një gjyqtar dha një urdhër për sekuestrimin e ngarkesave të naftës nga katër tankerët pasi SHBA paraqiti një padi muajin e kaluar.
Në një deklaratë të Premten, Departamenti i Drejtësisë i SHBA tha se kishte “ekzekutuar me sukses konfiskimin” e “një dërgese të karburantit multimilion dollarësh nga Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC)”.
IRGC është një degë e forcave të armatosura iraniane që Shtetet e Bashkuara e kanë caktuar si organizatë të huaj terroriste.
Një zyrtar i lartë amerikan i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se nuk u përdor asnjë forcë ushtarake në konfiskim.
Në vend të kësaj, tha zyrtari, SHBA kërcënoi pronarët e anijeve, siguruesit dhe kapiten me sanksione për t’i detyruar ata të dorëzonin naftën.
Aktualisht nuk është e qartë se ku ndodhen anijet: Bella, Bering, Pandi dhe Luna.
Ambasadori iranian në Venezuelë, Hojat Soltani i cilësoi raportet e konfiskimeve si “propagandë të rreme”.
“Kjo është një gënjeshtër dhe akt tjetër i luftës psikologjike të kryer nga SHBA”, shkroi ai në Twitter.