Administrata Biden ka miratuar një kontratë në vlerë prej 100 milionë dollarëve për të forcuar sistemet e mbrojtjes raketore të Tajvanit, një veprim për të cilin ka reaguar tashmë Kina.
Marrëveshja e mbështetjes do të përfshijë shitjen e pajisjeve dhe shërbimeve për Tajvanin për të “mbajtur, mirëmbajtur dhe përmirësuar” sistemin e tij të mbrojtjes raketore, Patriot, të prodhuar në SHBA, njoftoi të hënën Departamenti i Shtetit.
Agjencia e Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes ka njoftuar Kongresin për shitjen, e cila u kërkua nga Zyra e Përfaqësimit Ekonomik dhe Kulturor të Taipeit, ambasada de facto e Tajvanit në Uashington.
Kina, e cila e sheh Tajvanin si një shtet jo real e që e konsideron si të qeverisur prej saj, kritikoi shpejt marrëveshjen, duke u bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të tërheqin marrëveshjen dhe të heqin dorë nga ndërveprimi i saj ushtarak me Taipein.
“Shitja e armëve nga SHBA-ja për Tajvanin minon seriozisht sovranitetin dhe interesat e sigurisë së Kinës dhe dëmton seriozisht raportet Kinë-SHBA, si dhe paqen dhe stabilitetin në ngushticën e Tajvanit”, u tha gazetarëve të martën zëdhënësi i ministrisë së Jashtme, Zhao Lijian, shkruan Associated Press.
“Kina do të marrë masat e duhura dhe të fuqishme për të mbrojtur me vendosmëri sovranitetin dhe interesat e saj të sigurisë”, shtoi ai.
SHBA-ja mban raporte jozyrtare me Tajvanin, duke ofruar pajisje ushtarake dhe trajnime për ishullin për të siguruar që ai të mund të mbrohet nga Kina, e cila e ka kërcënuar atë me një pushtim për ta detyruar të pranojë sovranitetin e saj.
Ky portal mirëmbahet nga kompania “Telegramisot.info“. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Telegramisot.info“. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t’i pranoni Kushtet e përdorimit.
info@telegramisot.info