Një luftanije amerikane përsëri lundroi nëpër Ngushticën e ndjeshme të Tajvanit të martën, si pjesë e asaj që ShBA-ja e quan aktivitet rutinor, por që gjithnjë e zemëron Kinën, qeveria e të cilës beson se Uashingtoni po përpiqet që të nxisë tensione rajonale.
Forcat detare amerikane thanë se shkatërruesja e raketave e kategorisë Arleigh Burke, Milius, kreu një kalim transit rutinor nëpër Ngushticën e Tajvanit përmes ujërave ndërkombëtare në përputhje me ligjin ndërkombëtar.
“Kalimi i anijes nëpër Ngushticën e Tajvanit e shpërfaq përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për Indo-Paqësor të lirë e të hapur. Ushtria e Shteteve të Bashkuara fluturon, lundron e operon kudo ku e lejon ligji ndërkombëtar”, thuhet më tej në deklaratën e forcave detare amerikane.
Ende nuk ka ardhur ndonjë reagim i menjëhershëm nga Kina në lidhje me këtë veprim të forcave amerikane, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Muajin e kaluar, ushtria kineze i dënoi veprimet e Shteteve të Bashkuara e Kanadasë, të cilat dërguan nga një luftanije nëpër Ngushticën e Tajvanit, duke thënë se këto vende po i rrezikojnë paqen e stabilitetin në rajon.
Anijet e forcave detare amerikane kanë kaluar nëpër Ngushticën e Tajvanit pothuajse çdo muaj, duke e nxitur zemërimin e Pekinit. Edhe vendet aleate të Shteteve të Bashkuara kohë pas kohe. Një gjë të tillë Britania e bëri në shtator.