Shtetet e Bashkuara kanë revokuar vizat për më shumë se 1.000 shtetas kinezë, në tre muajt e fundit, në bazë të një urdhri presidencial për të pezulluar hyrjen nga Kina të studentëve dhe studiuesve që konsiderohen si rrezik për sigurinë.
Një zëdhënëse e Departamentit të Shtetit tha më 9 shtator se, veprimi po ndërmerrej nën një urdhër të shpallur nga presidenti amerikan, Donald Trump, më 29 maj në përgjigje të veprimeve të Kinës që kufizojnë demokracinë në Hong Kong.
Kjo është hera e parë që Departamenti i Shtetit ofron shifra mbi efektet e urdhrit të Trumpit.
Zyrtarët amerikanë thonë se numri i rasteve të spiunazhit që përfshijnë Kinën është rritur vitet e fundit.
Shtetet e Bashkuara gjithashtu kanë akuzuar Kinën për praktika të padrejta biznesi dhe përpjekje për të vjedhur hulumtimet për koronavirusin.