Deputeti shqiptar, Shaip Kamberi ka reaguar sërish pasi atij nuk i është lejuar të mbajë flamurin kombëtar në Kuvendin e Serbisë.
Kamberi ka thënë se Serbia mbetet i vetmi shtet në rajon që e ndalon përdorimin e simbolit kombëtar për pakicën e vet, përmes ligjit për minoritete.
“Përderisa pakica kombëtare serbe përdor ligjshëm flamurin në Graçanicë, Kumanovë e Kotor; flamuri shqiptar ndalohet në Luginën e Preshevës. Barazia nuk duhet ndërtuar duke ia ndaluar pakicave kombëtare përdorimin e simboleve të tyre kombëtare. Prandaj sot vendosa flamurin shqiptar në parlament, krahas flamurit serb”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai ka thënë se ligji për minoritete duhet të ndryshohet në Serbi.
“Flamuri shqiptar të legalizohet dhe të valojë në Luginë, ashtu sikurse po valon ligjshëm flamuri serb në Graçanicë, Kotor dhe Kumanovë. Simbole të ligjshme kombëtare për çdo pakicë kombëtare në rajon, pa dallim”, thotë ai.
Kamberi ka pohuar se barazia në të drejta është parakusht për paqen rajonale.
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, sot vendosi flamurin kuqezi në Parlament. Ndërkohe, Bërnabiqi dhe Daciqi i kërkuan që ta largojë.