Gjykata Themelore e Prishtinës të shtunën ka caktuar masën e paraburgimit ndaj kryetarit të Komunës së Kllokotit, Bozhidar Dejanoviq.
Menjëherë pas kësaj ka reaguar e ashtuquajtura “Zyra për Kosovën” në qeverinë e Serbisë.
Nga e njëjta zyrë kanë pretenduar se përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë nëpër institucione po diskreditohen nga Kosova.
Këto deklarime ata i kanë bërë nëpërmjet një komunikate drejtuar medieve serbe, transmeton Gazeta Sinjali.
“Është e qartë se institucionet vetëqeverisëse në Prishtinë po shtypin përfaqësuesit e serbëve në Kosovë dhe po përpiqen t’i diskreditojnë ata me procese manipulimi. Bëhet fjalë për persekutimin politik të Dejanoviç, vendim ky i cili synon kriminalizimin e përfaqësuesve politikë të serbëve dhe hijezimin e mbështetjes madhështore të Listës Serbe, për të cilën 96.14 përqind e qytetarëve në zonat serbe në Kosovë votuan në zgjedhjet e mëparshme”, thuhet në reagim.
Kësisoj, ata kanë insistuar në termin “persekutim”, duke kërkuar vëmendjen e faktorit ndërkombëtar.
“Zyra për Kosovën e qeverisë Serbe u bën thirrje përfaqësuesve ndërkombëtarë të ndalojnë persekutimin politik të përfaqësuesve serbë në Kosovë dhe thekson se asnjë gjykim i organizuar kundër Bozhidar Dejanoviq që synon diskreditimin e tij do të zvogëlojë besimin se Lista Serbe gëzon në mesin e qytetarëve”, thuhet tutje në reagim.
Gjykata Themelore e Prishtinës i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaj Dejanoviqit, nën dyshimin për manipulim me vota.