Disa punonjës të institucioneve serbe që veprojnë në Kosovë kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë (REL) se ata janë “të detyruar” që përmes ndërrimeve të kujdesen për bllokimin e vendkalimeve kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.
Ata folën në kushte anonimiteti dhe thanë se autoritetet lokale po u kërkojnë ta bëjnë këtë.
Derisa protestat e serbëve në këto lokalitete po vazhdojnë, shumica e objekteve hotelierike në katër komuna në veri të Kosovës po mbyllen.
Radio Evropa e Lirë mëson se qëllimi i kësaj mase është që sa më shumë njerëz të shkojnë në barrikada në Leposaviq, ku ndodhet vendkalimi Jarinje, ose në Zubin Potok, në territorin e të cilit ndodhet kalimi kufitar Bërnjak.
Edhe pronarët e objekteve hotelierike në veri të Kosovës nuk kanë dashur të zbulojnë identitetin e tyre.
Policia e Kosovës: Është vendosur pengesë shtesë me zhavorr
Policia e Kosovës ka njoftuar të enjten se qytetarët lokalë në afërsi të pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak – të cilët kanë bllokuar rrugën pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të masës së reciprocitetit në targa – kanë përforcuar bllokadat me zhavorr.
Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Baki Kelani, përveç këtyre përforcimeve, situata vazhdon të jetë e njëjtë, pa incidente.
“Situata është pothuajse e njëjtë. Ka pengesa në të dyja anët. Është tash edhe një pjesë me zhavorr që është vendosur si pengesë. Situata është e qetë në përgjithësi”, ka thënë Kelani