Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka thënë se çdo emërim në borde që është bërë nga qeveria në detyrë do të anulohet në javën e parë të qeverisjes së re.
Kurti ka shkruar poashtu se secili vendim që ka nënkuptuar shpenzim të pakontrolluar të parasë publike do të auditohet dhe do të kërkohet përgjegjësi.
“Çdo intervistim, nominim, rekrutim apo emërim duhet të ndërpritet menjëherë dhe të mos vazhdojë deri në votimin e qeverisë së re. Secili emërim i nënshkruar pas rrëzimit të qeverisë anti-kushtetuese do të anulohet që në javën e parë të qeverisjes, dhe kjo vetëm mund të dëmtojë personat e përfshirë.Secili vendim që ka nënkuptuar shpenzim të pakontrolluar të parasë publike pas rrëzimit të qeverisë anti-kushtetuese do të auditohet dhe për çdo keqpërdorim do fillohen procedurat normale të kërkimit të përgjegjësisë”, ka shkruar ai.
Të kujtomë se sot, pasi që dy ditë më parë ministri në detyrë i Infrastrukturës, Arban Abrashi vendosi që ta rikthej në punë sekretarin që vet e largoi, Izedin Bytyqin, ky i fundit vendimin e parë që e mori sot është rikthimi në punë i Nexhat Krasniqit, personit të dënuar me korrupsion dhe të cilit Gjykata Supreme ia ka vërtetuar dënimin dhe moskthimin në punë.
Nexhat Krasniqi, i cili në publik njihet si “baba i tenderëve” është rikthyer në pozitën e Udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës me nënshkrimin e Izedin Bytyqit, sekretarit të përfolur për dallavere dhe për të cilin dyshohet se është i kapur drejtpërdrejt nga Krasniqi dhe grupi i tij.