Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ka marrë vendim për ndalimin e 50% të pagës mujore për Izedin Bytyqin, sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, transmeton Gazeta Sinjali.
Kjo është bërë për shkak se i njëjti nuk ka zbatuar vendimin për rastin e ankuesit Nexhat Krasniqi, i cili kishte kërkuar kthimin në pozitën e udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit në këtë dikaster.
KPMSHCK ka nxjerrë vendim me të cilin e ka aprovuar si të bazuar ankesën e Nexhat Krasniqit, përmes të cilit ka obliguar sekretarin e përgjithshëm të MI-së, që të bëjë zbatimin e këtij vendimi brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e pranimit të këtij vendimi.
Kësisoj ankuesin Nexhat Krasniqi e ka kthyer në pozitën e udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit, sipas vendimit me të gjitha të drejtat dhe detyrimet nga marrëdhënia e punës dhe ka urdhëruar t’i bëhet kompenzimi i 50% të pagës nga dita e pezullimit deri në zbatimin e këtij vendimi.
Nexhat Krasniqi ishte shkarkuar në nëntor të vitit 2018 nga pozita e shefit të Prokurimit në ministri.