Besohet se 14 persona kanë humbur jetën si pasojë e zjarrit i cili ka shpërthyer në Spitalin Modular të Tetovës.
Shumica e viktimave sipas Isen Salihut, mund të kenë humbur jetën nga djegia, nga ngufatja për shkak të tymit, ose nga ndërprerja e furnizimit me oksigjen, pasi dihet se aty trajtoheshin pacientë me COVID.
Në këtë spital sipas, Isen Salihu, ishin të shtrirë 84 pacientë, ku shumë prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore, njofton Klankosova.tv
Sipas tij, shumë prej tyre besohet se janë dërguar edhe në spitalin e Shkupit, pasi në Tetovë ishin plotësuar kapacitetet.
Salihu ka thënë se ende nuk dihet se si është shkaktuar zjarri, por që besohet se tanimë është shuar.
Ende nuk dihet nëse në mesin e viktimave ose të lënduarve ka edhe shqiptarë.
Salihu ka theksuar se në vendin e ngjarjes ka arritur Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.