Dhjetë anëtarë të dyshuar të një grupi të trafikantëve të drogës dhe katër policë janë vrarë gjatë përleshjes së armatosur mes tyre të shtunën në një qytezë meksikane, afër kufirit me Shtetet e Bashkuara.
Ky rast ndodhi vetëm disa ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, i tensionoi marrëdhëniet me Meksikën, duke deklaruar se grupet meksikane të trafikimit të drogës do t’i vendosë zyrtarisht në listën e grupeve terroriste.
Qeveria rajonale në Coahuia tha se policia shtetërore u përlesh në mesditë me një grup të armatosur rëndë, i cili ishte duke lëvizur me vetura në qytezën Villa Union, rreth 65 kilometra në jugperëndim të qytetit kufitar, Piedras Negras.
Duke qëndruar para një ndërtese të dëmtuar nga plumbat e shumtë, guvernatori rajonal, Miguel Angel Riquelme, tha para gazetarëve se autoritetet i kanë luftuar në mënyrë vendimtare anëtarët e grupeve të trafikimit të drogës. Ai njoftoi se përpos katër policëve të vrarë, gjashtë të tjerë u plagosën.
Riquelme tha se në këtë sulm ishin të përfshira 14 vetura të personave të dyshuar dhe se policia i ka sekuestruar dhjetëra armë. Besohet se sulmuesit ishin anëtarë të të ashtuquajturit “Karteli i Verilindjes”.
Shpërthimi i dhunës ndodhi gjatë një kohe sfiduese për presidentin meksikan, Andres Manuel Lopez Obrador, i cili të premten tha se nuk do të pranojë ndonjë ndërhyrje të huaj për t’i luftuar grupet kriminale, shkruan “Reuters”, transmeton Telegramisot.com