Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka thënë se në koncept dokumentin e Ministrisë së Drejtësisë për konfiskimin e pasurisë së paluajtshme, i cili u miratuan dje nga Qeveria e Kosovës, janë të përfshira edhe direktiva e Bashkimit Evropian, raporton Gazeta Sinjali.
Sallahu i është kundërpërgjigjur ish-deputetës, Shqipe Pantina, e cila deklaroi se Qeveria Kurti do ta përdorë Ligjin për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme si “kërbaç” ndaj kundërshtarëve politikë.
Zëvendësministri i Drejtësisë tha se Pantina duhet ta lexojë këtë koncept, pastaj të shkruaj për të.
Ai tha se Agjencia për konfiskimin e pasurisë së paligjshme do të jetë plotësisht e pavarur dhe se hartimi i këtij ligji do të bëhet në konsultim me ekspertët ndërkombëtarë dhe të gjitha palët e interesuara.
Kësisoj, ai garanton se ky ligj nuk do të ketë qëllim hakmarrjen ndaj askujt.
“Ligji nuk do të hartohet dhe nuk do të jetë shkelë e shko dhe nuk do të jetë ligj për hakmarrje ndaj askujt. Do të jetë ligj që taksat e qytetarëve të kthehen në vend. Ligji duhet të prodhojë drejtësi. Nuk do të hakmerremi ndaj njeriut të gjallë”, ka theksuar me pas Sallahu.
Zv/ministri ka theksuar se ligji e përcakton që ai që i ka vjedhur paratë e shtetit, do t’i kthejë ato brenda një viti.
“Jemi në fushën civile dhe atë që bën Agjencia ka të bëjë se e dërgon lëndën shumë më shpejt në gjykatë. E sheh që të hyrat e ligjshme dhe pasuria e bërë ka diskrepancë. Agjencia konstaton se pasuria e krijuar është në kundërshtim me të hyrat dhe në bazë të këtyre argumenteve e bënë kërkesën (për konfiskim) në gjykatë”, ka thënë Sallahu.