Ish-eprori i UÇK’së, Salih Mustafa, nuk është deklaruar sot para Dhomave të Specializuara, rreth aktakuzës së ngritur ndaj tij nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë.
Kjo pasi sipas Mustafes i duhet të konsultohet me avokatin e tij mbrojtës, shkruan Reporteri.net.
Më pas avokat i tij ka kërkuar të pajiset me dokumentacionin e plotë rreth aktakuzës ndaj klientit të tij, për të përgatitur mbrojtjen dhe deklarimin para gjykatës të të akuzuarit Mustafa.
Ndryshe, në Hagë është duke vazhduar seanca e paraqitjes së parë gjyqësore ndaj ish-ushtarit të UÇK’së, Salih Mustafës para Gjyqtarit të Procedurës paraprake së Dhomave të Specializuara për Kosovën.
Mustafa është arrestuar ditë më parë nga pjesëtarë të EULEX’it derisa është i pari personi i akuzuar që është paraqitur para gjyqtarit të procedurës paraprake.
Gjykata Speciale ka bërë publike në version të redaktuar aktakuzën për Salih Mustafën. Pos krimeve të tjera, ish pjesëtari të UCK-së, i vihet në barrë edhe akuza për vrasje.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, pretendon se këto krime kanë ndodhur në fshatin Zllash, gjatë vitit 1999.