Partitë e koalicionit që pritet ta formojnë Qeverinë kanë bashkë 64 deputetë. Por, pritet që jo të gjitha do të konvertohen në vota pro Qeverisë së Avdullah Hotit. Kandidati i LDK’së për kryeministër nuk pritet ta marrë përkrahjen e të gjithë Grupit Parlamentar të partisë, nisur nga minigrupi kundërshtues, Vjosa Osmani e Haxhi Avdyli. Megjithatë Hotin do ta votojë Behgjet Pacolli me deputeten tjetër të AKR’së, edhe pse kjo parti thotë se do të qëndrojnë në opozitë.
LDK’ja ka 28 deputetë, po jo të gjithë kanë deklaruar se do ta votojnë Qeverinë e partisë së tyre, që do ta formojë Avdullah Hoti.
Gjykata e ka publikuar të plotë aktgjykimin ndërsa LDK ka bërë kërkesë për mbajtjen e seancëvs, ku pritet të votohet Qeveria e re në krye me Avdullah Hotin.
Deri tash, partia e Isa Mustafës e ka zyrtarizuar koalicionin me AAK’në, Nismën dhe minoritetet. Krejt bashkë i kanë 64 vota, e për formimin e Qeverisë i duhet shumica e thjeshtë prej 61 deputetëve.
Në fillin e negociatave të LDK’së me partitë e tjera thuhej se edhe AKR’ja do të jetë pjesë e Qeverisë Hoti. Megjithatë duket se dy deputetët e AKR’së do të rreshtohen kah opozita.
Jeltir Zyberaj, këshilltar i kreut të AKR’së, Behgjet Pacolli, ka bërë të ditur se kjo parti do të qëndrojë në opozitë.
“AKR nuk do të jetë pjesë e qeverisë së re. Do të jetë opozitë”, ka shkruar Zyberaj të premten.
Edhe pse nuk ishte pjesë e Qeverisë LDK-Vetëvendosje, AKR’ja kishte votuar pro zgjedhjes së Albin Kurtit kryeministër.
Nënkryetari i AKR’së, Fatmir Matoshi, thotë për Gazetën Express se njëjtë do të veprojnë edhe për Qeverinë Hoti.
“Siç e ka thanë Presidenti Pacolli edhe ma herët, AKR do ta mbështesë edhe këtë qeveri gjatë votimit të saj, ashtu si e ka mbështetur edhe qeverinë Kurti”
Dy prej deputetëve të LDK’së, Vjosa Osmani dhe Haxhi Avdyli janë shprehur kategorikisht kundër koalicionit të LDK’së me partitë që ishin pjesë e PAN’it. Osmani ka përvojë në mosvotimin e kryeministrit të partisë së saj, pasi nuk e kishte votuar as Qeverinë e Isa Mustafës në vitin 2014.
Ka pasur edhe deputetë të tjerë si Fatmir Rexhepi e Ardian Shala që nuk e kanë pasur të definuar votën e tyre për Qeverinë LDK-AAK-Nisma-minoritetet.
Megjithatë, Qeveria e re pritet të votohet gjatë kësaj jave, pasi tashmë u publikua aktgjykimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese për dekretin e Presidentit e LDK po e priste këtë publikim për të kërkuar që të thirret seanca e votimin të Qeverisë.
Gjykata kishte pezulluar për një muaj dekretin e Presidentit për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër, ndërsa më 28 maj i dha dritën e gjelbër formimit të Qeverisë.