Frashër Demaj thotë se për librin në fjalë nuk ka përfituar më shumë se 1,900 euro.
Deputeti dhe historiani, Frashër Demaj është përfshirë në debatin e fundit për një libër ku një nga citatet në këtë libër e quan masakrën e Reçakut “incident”.
Demaj në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se ndaj tij po bëhet një luftë speciale në lidhje me debatin e fundit se si ai i është referuar masakrës së Reçakut.
Ai thotë se në atë libër masakrën e Reçakut “inicident” e quan gazeta serbe “Vreme”, ndërsa shton se në dokumentet e tij ai masakrës së Reçakut i është referuar “masakër e Reçakut”.
“Çdo falsifikim dhe gënjeshtër që është lansuar i demantojnë dokumentet që i kam dërguar unë për botim. Unë nuk mbajë përgjegjësi për përgatitjen [teknike] e librit”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Historiani thotë se ai nuk ka mundur t’i imponojë redaksisë çfarë të tjerët do të botojnë, por thotë se merr përgjegjësi vetëm për materialet që ai i ka dërguar.
“Ekskluziviteti i botimit është i redaksisë. Ne nuk mund t’i imponohemi çfarë ata të botojnë”.
Demaj thotë se botimi i librit që tashmë po përfolët është sponsorizuar nga Këshilli i Evropës dhe aty janë përfshirë shumë shtete.
“Kosova e ka pasur vetëm një zgjedhje. Të pranojë apo jo të përfshihet në historinë e shteteve të Evropës Juglindore”.
Historiani thotë se është kompensuar financiarisht për kontributin në këtë libër, por sipas tij e gjithë shuma nuk është më tepër se 1,900 euro.