Gjatë vitit 2020 në Kosovë, i cili tashmë njihet si viti i pandemisë së koronavirusit, çmimet e konsumit u rritën në vlerën prej 0.2 për qind krahasuar me vitin paraprak. Kështu thuhet në të dhënat që ofron Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit, i publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Ibish Asllani, shef i Divizionit të statistikave të çmimeve në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, thotë për Radion Evropa e lirë, se çmimet e konsumit në periudha të shkurta kohore gjatë vitit 2020, kanë shënuar ndryshime në ngritje dhe zbritje të tyre, por në tërësi ato janë ngritur për 0.2 për qind.
Ngritje të çmimeve, sipas Asllanit, janë shënuar për produktet bazike ushqimore.
“Ngritjet e këtyre çmimeve kanë qenë kryesisht te buka dhe drithërat, rreth 2.3 për qind dhe e kam fjalën për indeksin e tërësishëm të çmimeve të konsumit. Pastaj te mishi ka pasur një ngritje prej 1.8 për qind, qumështi, djathi dhe vezët kanë pasur ngritje 1.8 për qind, pemët kanë pasur ngritje të çmimit prej 5.0 për qind, kafja, çaji dhe kakao kanë pasur ngritje të çmimeve për 5.4 për qind, uji, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet 1.7 për qind”, tha Asllani.
Ai shtoi se ngritje të çmimeve prej 3.4 për qind kanë shënuar sheqeri dhe ëmbëlsirat, ndërkaq duhani 1.3 për qind. Rritje të çmimeve prej 4.4 për qind kanë shënuar produktet mjekësore, aparaturat dhe pajisjet, ndërkaq shërbimet telefonike dhe të telefaksit për 2.2 për qind. Shërbime hoteliere kanë shënuar ngritje prej 2.3 për qind, sigurimet 15.7, pajisjet shtëpiake 1.0 për qind, shërbimet ambulatore 5.8 për qind e të tjera.
Por, sipas Asllanit, gjatë vitit 2020 janë shënuar rënie të çmimeve të perimeve për minus 5.5 për qind, si dhe rënie të çmimeve, të cilat janë shprehur te përdorimi i pajisjeve për transportin personal për minus 12.0 për qind. Në këtë rënie të këtyre çmimeve ka ndikuar rënia e çmimeve të naftës dhe benzinës. Rënie të çmimeve ka pasur edhe te veshjet për minus 1.2 për qind.
Qytetarët: Ngritja e çmimeve ka përkeqësuar mirëqenien
Disa qytetarë në Prishtinë thonë se ngritja e çmimeve për produktet ushqimore, gjatë vitit të kaluar, fillimisht ishte e pahetueshme, por më pas ato u bënë të dukshme. Sipas tyre, rritja e çmimeve ka vazhduar edhe gjatë këtij viti.
Ismet Demiri nga Prishtina, i punësuar në sektorin privat, thotë që pandemia ndikoi që një numër i madh i të punësuarve në këtë sektor të mbeteshin pa punë, ndërkohë që rritja e çmimeve për produktet bazike ushqimore ishte barrë e shtuar për të gjithë.
“Janë ngritur çmimet e produkteve ushqimore, sidomos produkteve nga bujqësia dhe vaji. Me këto ngritje çmimesh po dëmtohet çdo familje, në përgjithësi, e vendit tonë”, tha Demiri.
Hamide Mustafa thotë se është amvise dhe familja e saj jeton nga ndihma sociale që i ofron shteti. Gjendjen financiare të familjes së saj, siç thotë ajo, e ka rënduar ngritja e çmimeve të produkteve ushqimore.
“Sidomos nëpër markete ushqimi dhe pijet, që janë më kryesoret. Burri është i papunë dhe vetëm ndihma sociale nuk na mjaftonte”, theksoi Mustafa.
Mensur Krasniqi, avokat nga Prishtina, thotë që shporta mujore gjatë vitit 2020 ka dalluar nga një vit më herët. Çmimet e ngritura për produktet bazike, sipas tij, kanë goditur të gjithë e sidomos ata të punësuar në sektorin privat, si dhe ata që kanë mbetur pa punë si pasojë e pandemisë.
“Sidomos në pjesë e dytë të vitit 2020 kanë ndryshuar çmimet, sidomos vaji, sheqeri, mishi, pra këto produktet bazike që konsumojnë familjet. Secila pore e shoqërisë është goditur prej pandemisë, por sidomos sektori privat (të punësuarit) është goditur më së shumti. Kjo ka ndikuar që të bie fuqia blerëse dhe në këtë mënyrë, rritja e çmimeve sigurisht që ka vështirësuar mirëqenien si dhe ka përkeqësuar gjendjen ekonomike të familjeve”, tha Krasniqi.
Rënie e pagës mesatare
Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, gjatë vitit 2020, paga mesatare ka shënuar rënie. Pagat që merren nga buxheti i Kosovës nuk kanë lëvizur, por në sektorin privat ato kanë shënuar rënie dhe marrë parasysh që sektori privat përfshin shumicën e të punësuarve në vend, kjo ka ndikuar në rënien e nivelit të pagave mesatare në përgjithësi.
Në vitin 2020, pagat mesatare bruto në Kosovë ishin 466 euro, derisa në vitin 2019 ishin 477 euro. Pra, kishte një rënie prej 11 eurosh nga viti paraprak. Kurse, paga neto, në vitin 2020 ishte 416 euro, krahasuar me vitin 2019 e cila ishte 430 euro. Pra, një rënie prej 14 eurosh.
Kërkohet rritje e pagave për punëtorët e sektorit privat në Kosovë
Paga mesatare bruto në sektorin privat, në vitin 2020 ishte 380 euro, derisa në vitin 2019 ishte 411 euro. Pra, kishte një rënie prej 31 eurosh. Ndërsa, paga mesatare neto për vitin 2020 ishte 342 euro, krahasuar me vitin 2019 që ishte 372 euro. Pra, ka shënuar një rënie prej 30 eurosh.
Ibish Asllani thotë se përllogaritja e Indeksit të çmimeve të konsumit bëhet në bazë të strukturës së konsumit. Indeksi i konsumit, sipas tij, ka 12 grupe dhe 88 nëngrupe, në bazë të klasifikimit të konsumit individual.
Për ushqim shpenzohen 47 për qind e pagave
Bazuar në statistikat e regjistruara për vitin 2020, sipas Asllanit, nga të ardhurat që ka një ekonomi familjare, 47 për qind e tyre shpenzohen vetëm për grupin e ushqimit. Kjo normë e lartë e shpenzimeve për grupin e ushqimit, sipas tij, ndikon drejtpërdrejtë në standardin e jetesës të ekonomive familjare në Kosovë.
“Sigurisht që ndikon, kur 47 për qind të të ardhurave i merr vetëm një grup, pra grupi i ushqimit. Tash mbesin edhe 11 grupe. Konsumi është fushë e gjerë, por faktikisht gati se gjysma e të ardhurave shkojnë për grupin e ushqimeve dhe gjysma tjetër mbetet për mbulimin e pjesës tjetër të zhvillimit të jetesës dhe të të gjitha të mirave në kuadër të ekonomisë familjare”, theksoi Asllani.
Kaçaniku: Konsumatori i varfëruar, pasqyrë e shtetit të varfëruar
Udhëheqësi i organizatës joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku tha se zhvillimet në vitin e kaluar e kanë vështirësuar jetën e qytetarëve konsumatorë në Kosovë. Ndikimi i pandemisë COVID-19, ka rezultuar me humbje të vendeve të punës në sektorin privat, me ulje të pagave dhe me ngritje të çmimeve. Por, sipas tij, ngritja e çmimeve më tepër është rezultat i menaxhimit të pamjaftueshëm dhe pa eksperiencë të kornizës së tregut dhe të bizneseve.
“Mendoj se në këtë periudhë, duke pasur parasysh edhe faktin që disa individë dhe familje i kanë dhënë deri në 4 mijë euro për shërim nga COVID-i, pa ndihmën e përkrahjen e askujt, atëherë mund të themi që 30 për qind të qytetarëve konsumatorë dhe taksapagues që jetojnë në varfëri dhe një e treta e kësaj përqindje jetojnë në varfëri të skajshme, janë të falimentuar. Ky është një paralajmërim, një ogur i zi për qeverinë, e cila duhet gjithsesi të ndërmarrë masat, sepse qytetari konsumator dhe taksapagues i varfëruar, prezanton dhe shpërfaq dhe identifikon shtetin e varfëruar”, theksoi Kaçaniku.
Ai shtoi se edhe gjatë vitit 2021, çmimet kanë shënuar lëvizje dhe ngritje, duke e rënduar edhe më tej gjendjen e konsumatorëve dhe të ekonomive familjare.