Mund të quhet lirisht “Trialog” e jo vetëm dialog, nëse analizohen të gjitha takimet që janë zhvilluar këtë muaj në Bruksel. Kanë qenë vetëm dy takime me praninë fizike të pjesëmarrësve mes delegacioneve të Serbisë dhe Kosovës dhe një takim virtual përmes videolidhjeve. Të gjitha takimet dhe diskutimet e tjera kanë qenë bilaterale, mes përfaqësuesve të BE-së dhe delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë.
Kjo praktikë që ishte ndjekur edhe në nëntë vjetët e kaluar, sa zgjat ky dialog, po vazhdon ende. Dhe qëllimet e takimeve paraprake bilaterale gjithmonë janë që të përgatiten më mirë takimet mes palëve me ndërmjetësimin e BE-së. Sepse të dyja palët ende më shumë preferojnë të bisedojnë me BE-në, të paraqiten si “partnerë të BE-së”, sesa të bisedojnë mes vete, raporton KOHA.
Në takimet e para nuk është parë ndonjë dallim i madh nga praktika e kaluar. Dallimi më i madh që mund t’i rrisë edhe gjasat për ndonjë marrëveshje eventuale është roli shumë aktiv tani i dy shteteve më të mëdha të BE-së – Gjermanisë dhe Francës.
Madje, një samit i organizuar nga presidenti francez Emanuel Macron dhe kancelarja gjermane Merkel u zhvillua para se të rifillonte dialogu në Bruksel. Pos kësaj, duket se edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qoftë përmes prononcimeve nga Washingtoni apo përmes takimeve që në Bruksel ka pasur zëvendësndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, Philip Reker, kanë sqaruar se nuk kanë ndonjë xhelozi ndaj BE-së dhe rolit të saj udhëheqës në dialog dhe se i dëshirojnë sukses BE-së në këtë drejtim.