Organizata bamirëse “Save the Children” paralajmëroi se gati 70 mijë fëmijë në Afrikën Subsahariane janë në rrezik që të vdesin nga uria e skajshme para fundit të këtij viti.
Kjo organizatë tha se pandemia Covid-19 është duke e shtuar trysninë me të cilin po përballen disa familje dhe komunitete për të siguruar qasje në ushqim, shkruan BBC.
Organizata e njohur tha se tashmë është duke e trajtuar një numër në rritje të fëmijëve që po vuajnë nga kequshqyerja në klinikat e veta në pjesët lindore dhe jugore të Afrikës.
Sipas kësaj organizate, masat kufizuese të pandemisë kanë ndikuar që familjet në këtë pjesë të kontinentit të varfër të përballen me vështirësi për gjetjen e ushqimit edhe për shkak të rritjes së çmimeve.
Sipas analizës së kësaj organizate, më shumë se 67,000 fëmijë mund të vdesin si rezultat i kësaj gjendjeje të rëndë vetëm gjatë vitit 2020. Ky paralajmërim erdhi pas një njoftimi të ngjashëm të Programit Botëror të Ushqimit rreth përhapjes së urisë përreth botës për shkak të koronavirusit.
Para pandemisë, komunitetet më të rrezikuara edhe më herët nuk e kishin të sigurt ushqimin për shkak të vërshimeve, zhvendosjeve dhe përhapjes së karkalecave të dëmshëm, të cilët i hanë të mbjellat.