Krenare Kodra, vajza e heroit Ilaz Kodra: Askush nuk duhet të ndihet i thyer për atë se çka i dhamë atdheut.
21 vjet nga rënia heroike e Ilaz Kodrës dhe bashkëluftëtarëve të tij. Familjes pikëllimin ua shtoi edhe më shumë pandemia Covid-19, e cila u bë shkak që të mos përkujtohet si herave të tjera heroi Ilaz Kodra.
Tashmë po bëhen 21 vjet prej kur Kosova u përball me okupatorin serb, i cili vrau e përndoqi civilë të pafajshëm të moshave të ndryshme. Në një luftë të ashpër me forcat serbe, ranë heroikisht edhe shumë ushtarë të UÇK-së, që tashmë janë heronj të vendit, në mesin e tyre edhe Ilaz Kodra.
21 vjet pas luftës së fundit, Kosova u përball sërish me një armik, por tash të panjohur dhe të padukshëm. Po e quajnë koronavirus dhe po i frikësohen pothuajse të gjithë.
Ky virus u bë shkas që këtë vit të mos ketë manifestime përkujtimore për të rënët e luftës, andaj edhe pikëllimi për familjet e tyre vetëm sa u rrit. Pasardhësit e heronjve dhe të rënëve të tjerë janë ata që po rriten në dheun e Kosovës, për të cilin u derdh shumë gjak.
Vajza e heroit Ilaz Kodra, Krenarja, thotë se asnjëri nga ne nuk duhet të ndihet i thyer dhe i zbrazur për atë se çka i kemi dhënë atdheut, por të gjithë së bashku të ndihemi borxhlinj ndaj Kosovës
“Mos ta harrojmë historinë tonë, t’i përkujtojmë e t’i nderojmë dëshmorët, martirët e gjakun që e lau këtë tokë me qindra vjet e gjithë këto kujtime t’i kthejmë në vullnet që të punojmë për një Kosovë me të cilën do të ndiheshin krenarë të gjithë”, tha ajo.
Ajo këto fjalë i dërgon si mesazh për të gjithë ata të rinj e të reja që i humbën prindërit në luftën e lavdishme për liri e pavarësi.
Krenare Kodra nuk arriti ta njohë babanë e saj e as ta takojë. Ajo u lind gjashtë muaj pas rënies së të atit dëshmor. Por, siç thotë ajo, të jesh e bija e një heroi është ndjenjë e mungesës për babanë, por edhe krenari dhe vullnet për arsimim, punë e jetë në Kosovën e lirë.