Telegrami të shtunën raportoi për një rrahje me grushta e shqelma që dyshohet se ka ndodhur dje mes nxënësve në oborrin e shkollës “Dardania” Prishtinë.
Pamjet e rrahjes brutale janë dërguar në adresë të Gazetës Sinjali nga një sinjalizues, ku shihet një numër i madh i nxënësve, teksa njëri prej tyre grushton e të tjerë e shkelmojnë një të mitur.
Lidhur me këtë ngjarje, Policia ka njoftuar se ka identifikuar dhe njëherit arrestuar dy persona të dyshuar, ndaj të cilëve gjyqtari i procedurës paraprake iu ka vazhduar masën e paraburgimit prej 30 ditëve.
“Policia e Kosovës, lidhur me incidentin e ndodhur ditë më parë në rrugën “Zija Shemsiu” të lagjes “Dardania” të Prishtinës ku ishin përfshirë disa nxënës, pas veprimeve operative hetimore ka identifikuar dhe njëherit arrestuar dy persona të dyshuar, ndaj të cilëve gjyqtari i procedurës paraprake iu ka vazhduar masën e paraburgimit prej 30 ditëve”, thuhet në komunikatën e policisë.
Sipas policisë, incidenti kishte ndodhur jashtë objektit dhe hapësirave shkollore, ku njëri prej nxënësve kishte pësuar lëndime trupore dhe ishte dërguar për trajtim mjekësor.
“Në incidentin i cili kishte ndodhur jashtë objektit dhe hapësirave shkollore, njëri prej nxënësve kishte pësuar lëndime trupore dhe ishte dërguar për trajtim mjekësor, përderisa Policia e Kosovës është duke vazhduar hetime intensive drejt identifikimit edhe të personave të tjerë të përfshirë në rast. Policia e Kosovës lidhur me këtë rast por edhe rasteve tjera të cilat kryesisht kanë ndodhur jashtë objekteve dhe hapësirave shkollore, e të cilat nuk janë ndërlidhur me procesin mësimor apo me sigurinë në shkolla, ka ndërmarrë dhe po vazhdon të ndërmerr veprime konkrete përmes planit operativ “ Siguria në Shkolla”,” thuhet ndër të tjera në njoftim.
Pavarësisht që Policia thotë se rrahja ka ndodhë jashtë objektit të shkollës, në pamjet e publikuara nga Sinjali shihet se një pjesë e përleshjes ka ndodhur në oborrin e shkollës “Dardania”.