Dhjetëra raste të sulmeve fizike ndaj mjekëve në vendin e tyre të punës janë raportuar gjatë vitit 2019. Rasti më i ri ishte raportuar ai i sulmit fizik ndaj një mjeku që ndodhi mbrëmë në Qendrën Emergjente të Spitalit Rajonal në Mitrovicë.
Aty, familjarët e disa pacientëve kanë sulmuar dy infermierë F.M e A.H., të cilët kanë marrë lëndime trupore. Ndërkohë, dy personat që i kanë sulmuar infermierët në vendin e punës janë ndaluar nga Policia e Kosovës.
Në një deklaratë për Gazetën Express, policia rajonale e Mitrovicës ka dhënë detaje rreth këtij rasti. F.M e A.H kishin qenë në vendin e punës ku mbrëmë rreth orës 19:00 ka ndodhur rasti.
Policia e Kosovës bën të ditur se viktimat kanë pranuar tretman mjekësor pas sulmit, ndërsa të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.
“Infermierët e sulmuar nga familjarët e pacientëve janë: F.M dhe A.H, të cilët kanë marrë lëndime trupore. SHSKUK e dënon dhe cilëson si të pa pranueshëm sulmin ndaj punëtorëve shëndetësorë, duke kërkuar nga organet kompetente që të merren me rastin në fjalë. Përkundër sulmit fizik ndaj infermierëve, pacientët janë trajtuar nga stafi i shërbimit emergjent”, deklaron Avni Zahiti nga policia.
E rastin e ka dënuar edhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK).
“SHSKUK ka pranuar një informatë nga Spitali i Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë se, mbrëmë rreth orës 20:00, në Repartin e
Emergjencës, janë sulmuar dy infermierë derisa po kryenin punën e tyre. SHSKUK e dënon dhe cilëson si të pa pranueshëm sulmin ndaj punëtorëve shëndetësorë, duke kërkuar nga organet kompetente që të merren me rastin në fjalë”, thuhet në reagimin e SHSKUK-së.
E në Kosovë nuk ka ligj që i mbron mjekët nga sulmet gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre.
Pleurat Sejdiu thotë se Oda e Mjekëve ka nisur një iniciativë për ta bërë ligjin që mbron mjekun në vendin e punës gjatë ushtrimit të veprimtarisë, i cili aktualisht mungon.
“Gjatë këtij viti, përpos sulmeve fizike, njëri është cilësuar si tentim vrasje, pasi mjeku është sulmuar me sëpatë. Ne, si Odë e Mjekëve përpos reagimeve, ofrojmë edhe mbështetjen ligjore nga zyra jonë dhe i procedojmë në instanca më të larta rastet e sulmeve”, thotë Sejdiu.
Ai shpreson që vitin e ardhshëm do të miratohet edhe ligji adekuat, duke marrë si shembull një ligj të ngjashëm nga Kroacia, me të cilin do të përcaktohet mbrojtja ligjore e mjekëve duke i përcaktuar edhe të drejtat dhe detyrimet e tyre.
E, mantelbardhët, për sulmet fizike ndaj tyre kanë shprehur pakënaqësinë shpeshherë edhe duke mbajtur protesta para objekteve ku punojnë.