N.N [emri i njohur për redaksinë], qytetare nga Mitrovica e Veriut thotë për Radion Evropa e Lirë se ajo, sikur shumica në atë pjesë të Kosovës, janë duke vazhduar me prodhimin e kriptovalutave.
Ajo thotë se familja e saj po vazhdon të merret me këtë veprimtari pasi që furnizimi me energji elektrike është i qëndrueshëm në atë pjesë, si dhe pasi janë rralluar aksionet e Policisë së Kosovës për konfiskimin e pajisjeve për prodhim të kriptovalutave. Pajisjet që prodhojnë kriptovaluta konsumojnë sasi të madhe të energjisë elektrike.
Aksioni i fundit i konfiskimit të pajisjeve i raportuar nga Policia e Kosovës është me datë 1 shkurt. Në këtë aksion, në Lipjan, u sekuestruan 127 kartela grafike.
“I vetmi problem është se ne nuk mund ta përdorim internetin e [kompanisë] ‘MTS d.o.o’, ndoshta detektohet se sa kompjuterë janë të kyçur”, tregon ajo.
Ajo thotë se disa prej personave që merren me prodhim të kriptovalutave kanë ndërruar ofruesit e shërbimit të internetit, pa dhënë detaje se për cilin ofrues bëhet fjalë, por ajo thekson se në atë pjesë, përveç ‘MTS d.o.o’ ka disa ofrues të tjerë të internetit.
‘MTS d.o.o’ është kompani e themeluar në vitin 2015, në bazë të Marrëveshjes së Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë dhe Telekomi i Serbisë është themelues, me pjesëmarrje prej 100 për qind.
Prodhimi i kriptovalutave në Mitrovicë Veriore u bë joshës viteve të fundit për shkak se qytetarët e asaj pjese nuk e paguajnë energjinë elektrike që e shpenzojnë.
Shteti s’i komenton operacionet
Prodhimi i kriptovalutave u ndalua nga institucionet e Kosovës më 29 dhjetor 2021, pasi deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan me shumicë votash vendosjen e masave emergjente në furnizim me energji elektrike.
Ndalimi i prodhimit të kriptovalutave u bë për shkak se pajisjet me të cilat prodhohen ato, shpenzojnë sasi të madhe të energjisë elektrike.
Ndalimi i prodhimit të kriptovalutave u vlerësua si një nga masat për uljen e konsumit të energjisë, pasi edhe Kosovës iu rrezikua furnizimi i rregullt me energji elektrike shkaku i krizës globale energjetike.
Shkaku i krizës, në Kosovë kanë hyrë në fuqi edhe tarifat e reja të energjisë elektrike.
Operimi i pajisjeve për prodhimin e kriptovalutave, përveç komunave veriore ku nuk paguhet rryma, aktualisht është i pafavorshëm në pjesë të tjera të territorit të Kosovës, pikërisht për shkak të rritjes së çmimit të energjisë elektrike.
Por, vendimi për ndalim të prodhimit të kriptovalutave në tërë territorin e Kosovës ende është në fuqi.
Që nga ndalimi i prodhimit të kriptovalutave, Policia e Kosovës ka raportuar mbi 600 pajisje dhe kartela grafike të sekuestruara.
I pyetur nga Radio Evropa e Lirë nëse është zhvilluar së fundi ndonjë aksion për identifikimin e pajisjeve për mihje të kriptovalutave në komunat veriore, zëvendëskomandanti i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në Mitrovicën Veriore, Besim Hoti, ka konfirmuar se nuk janë zhvilluar aksione të tilla së fundi.
Hoti ka konfirmuar se deri më tani janë zhvilluar dy aksione në veri.
Ndërkaq, i pyetur nëse po planifikohet ndonjë aksion i ri, Hoti, ka thënë se “Çfarë do të ishte ai nëse e bëjmë publik”.
REL-i ka pyetur edhe Drejtorinë Qendrore të Policisë së Kosovës nëse janë duke u zhvilluar aktualisht aksione për identifikimin dhe konfiskimin e pajisjeve që përdoren për prodhimin e kriptovalutave, por në përgjigjen e këtij institucioni nuk është dhënë asnjë detaj, e as shifër e pajisjeve të konfiskuara.
Vazhdimin e prodhimit të kriptovalutave në komunat veriore nuk e kanë komentuar as në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës.
Doganat: E konfiskuam çdo pajisje që e hasëm pa dokumentacion
Në një përgjigje për REL-in, Dogana e Kosovës ka thënë se gjatë aksioneve të përbashkëta të institucioneve për parandalimin e prodhimit të kriptovalutave, kanë konfiskuar të gjitha ato pajisje që nuk kanë dëshmi se ishin të zhdoganuara.
Sipas Doganës, gjatë vitit 2022, në Mitrovicën Jugore janë konfiskuar disa pajisje për prodhim të kriptovalutave me 67 kartela grafike, në Prishtinë, pajisje të tilla me 39 kartela grafike. Kurse në Leposaviq, janë konfiskuar 272 Antminera [pajisje për prodhim të kriptovalutës së njohur Bitcoin].
Aksioni në Leposaviq ishte ndër më të mëdhenjtë të zhvilluar në Kosovë, pasi aty ishte duke funksionuar një, siç njihet, ‘fermë’ për prodhimin e kriptovalutave.
Ndërsa, gjatë vitit 2021, Dogana e Kosovës thotë se janë sekuestruar 34 Riga [pajisje për prodhim të kriptovalutave] me kartela grafike në Prishtinë, në muajin dhjetor në Gjilan 33 Riga me kartela grafike.
Më herët, Dogana e Kosovës, kishte thënë për REL-in se gjatë vitit 2021, në Kosovë janë importuar pajisje Antminer [pajisje për prodhimin e kriptovalutës Bitcoin] në vlerë prej rreth 3,000 eurosh, ndërsa kartela grafike ishin importuar në vlerë prej 583 mijë eurosh.
Policia sekuestron aparate për prodhimin e kriptovalutave
Sipas këtij institucioni, interesimi më i madh i qytetarëve të Kosovës për të investuar në pajisje për prodhimin e kriptovaltuave ka qenë në vitet 2017-2018.
Pikërisht për këtë periudhë kohore, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) kishte raportuar mbi 20 për qind rritje të konsumit të energjisë elektrike në komunat veriore të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Ofruesit e internetit, e ‘dinë’ kush prodhon kriptovaluta
Edhe pse nga MTS thonë për Radion Evropa e Lirë se nuk kanë mundësi ta konfirmojnë se kush e përdor internetin për kriptovaluta, të tjerë që merren me punën e ngjashme thonë ndryshe.
Petar Gvozdenoviq, pronar i një kompanie që ofron shërbime interneti në Mitrovicën Veriore, thotë se është e mundur që të identifikohen personat që shfrytëzojnë internetin e kompanisë së tij për të prodhuar kriptovaluta, porse shton se nëse do të veprohej ashtu, atëherë do të shkeleshin të drejtat e përdoruesve.
“Respektivisht, ne do të duhej të kontrollonim çdo pajisje që është e kyçur te përdoruesi, të kryejmë kontroll, dhe unë mendoj se ofruesit e shërbimeve të internetit, nuk duhet ta bëjnë atë”, thotë Gvozdenoviq.
Gvozdenoviq me tej thotë se kontrolli i prodhimit të kriptovalutave mund të bëhet në mënyra të tjera, si për shembull, bllokimi i porteve, bllokimi i protokolleve ose duke bllokuar qasjen në faqet e kriptovalutave apo edhe serverët e mihjes.
I pyetur nëse e bëjnë një gjë të tillë tani, Gvozdenoviq thotë ‘jo për momentin’.
Granit Kadolli, i cili deri vonë është marrë me prodhimin e kriptovalutave, ka sqaruar për Radion Evropa e Lirë mënyrat më të thjeshta për identifikimin e personave që janë duke shkelur vendimin e Qeverisë për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave.
Sipas tij, janë dy mundësi: përmes sasisë së energjisë elektrike të shpenzuar, si dhe përmes ofrueseve të shërbimit të internetit.
“Automatikisht ajo [prodhimi i kriptovalutave] dihet nga shpenzimet e rrymës, sepse janë të mëdha, por pastaj mund të dihet edhe nga ofruesit e shërbimeve të internetit që u japin internet në atë pjesë, ku shteti i Kosovës ka qasje. Aq sa e di unë ka ofrues interneti të Kosovës, por ka edhe të Serbisë që ata [ që po prodhojnë kriptovaluta] mund ta shfrytëzojnë internetin edhe prej linçeve tjera që i marrin nga Serbia”, thotë Kadolli.
Kjo, sipas tij, e vështirëson identifikimin e atyre që ende mund t’i kenë në funksion pajisjet.
Por, Kadolli po ashtu thotë se çfarë vërehet nëpër forume të ndryshme është edhe fakti se ata që janë marrë me këtë veprimtari në pjesë të tjera të Kosovës, i kanë ndalur pajisjet edhe për shkak se nuk kanë fitim meqë është rritur ndjeshëm çmimi i energjisë elektrike.
Çfarë janë kriptovalutat?
Kriptovaluta është para digjitale, e decentralizuar, e bazuar në teknologjinë “blockchain” (shqip: blloqe zinxhir).
“Blockchain” është një libër i hapur, i shpërndarë, i cili regjistron transaksionet me shifra.
Aktualisht, tregtimi i pajisjeve për prodhimin e kriptovalutave është më i vogël dhe kryesisht ndodh nëpër profile të ndryshme në rrjete sociale.
Në praktikë, është disi si një libër shitblerjeje, që është i shpërndarë nëpër kompjuterë të pafundmë nëpër botë.
Ndryshe nga euroja apo dollari amerikan, nuk ekziston një autoritet qendror që menaxhon dhe ruan vlerën e një kriptovalute.
Këto detyra janë të shpërndara gjerësisht mes përdoruesve të një kriptovalute, nëpërmjet internetit.
Bitcoin ishte kriptovaluta e parë, e propozuar nga Satoshi Nakamoto, në një dokument të vitit 2008, të titulluar “Bitcoin: Sistem elektronik, pa ndërmjetësues, i parasë së gatshme”.
Prodhimi i kriptovalutave konsumon shume energji elektrike, sepse përfshin kompjuterë që bëjnë kalkulime për t’i verifikuar transaksionet.