Jashtë Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës ka mbetur nënkryetari i deritanishëm i saj Agim Veliu.
Përveç Veliut, në listën e anëtarëve të Kryesisë së re nuk bëjnë pjesë as ish-nënkryetarët Haki Rugova e Ismet Beqiri, derisa posti i nënkryetarit i është marrë edhe kryeministrit në detyrë Avdullah Hoti.
Zgjedhja e Kryesisë së re është bërë këtë të shtunë, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie, e cila zgjati rreth 20 minuta.
Kryesia e re e LDK-së do të përbëhet nga gjithsej 33 anëtarë. Prej tyre, 10 janë gra, derisa vetëm njëra prej tyre do ta mbajë postin e nënkryetares.
Pas votimit të përbërjes së re, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur takimin e parë me ta. Pas tij, Abdixhiku tha se ka marrë mbështetjen e plotë lidhur me propozimin e tij për takim me kandidaten për presidente nga Lëvizja Vetëvendosje, Vjosa Osmani.
Ndonëse ka përsëritur qëndrimin e tij se vendit i duhet një president i cili i përfaqëson të gjitha partitë, ai nuk ka pranuar të tregojë nëse e shohin Osmanin si të tillë.
“Ne kemi thënë vazhdimisht që na duhet një president që i përfaqëson të gjitha partitë politike, jo vetëm një parti politike. Na duhet një president kushtetues dhe këtë po e kërkojmë, të gjitha detajet e diskutimeve do t’i shpalosim para zonjës Osmani në takimin e ardhshëm kudo që ndodh…Meqenëse po kërkojmë takime, po punojmë në atë drejtim dhe takimet e qartësojnë atë çështje”, ka thënë Abdixhiku.
Abdixhiku më tutje ka bërë të ditur se Kujtim Shala do të jetë i propozuari i LDK-së për nënkryetar të Kuvendit, derisa Grupin parlamentar do ta udhëheqë sërish Arben Gashi.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i anëtarit të partisë, Naser Rugova.
“Kryesi më të dobët LDK nuk ka pasur kurrë. Reciklim i partisë ORA, distancim nga presidenti Rugova, tentim transformim i partisë në servis të RINVEST-it. TURP!” ka shkruar ai në Facebook.
Në anën tjetër, qasja e Abdixhikut lidhur me diskutimet me ish-nënkryetaren e LDK-së, Vjosa Osmani, është duke u parë e qëllimshme nga analisti Vigan Qorrolli.
Në një postim në Facebook, Qorrolli ka thënë se nga diskutimet me Osmanin, kryetari i ri i LDK-së synon të ndajë deputetët e nismës së Vjosës nga Grupi parlamentar i Vetëvendosjes.
“Synimet e kryetarit të ri të LDK-se, Abdixhiku, për negociata tête-à-tête (kokë më kokë) me pretendenten për presidente, Vjosa Osmani, e kanë vetëm një qëllim: ndarjen e shtatë deputetëve me VV-në dhe bashkimin e deputetëve të Listës së saj me LDK-në në një grup parlamentar. Kësisoj, LDK do ta arrinte edhe një fitore pa luftë: opozita numër një në Kuvend, duke e tejkaluar në numra PDK-në me deputetë. Asgjë më pak, asgjë më shumë!” ka thënë Qorrolli.
E anëtari i Partisë Socialdemokrate, Frashër Krasniqi, tha se spastrimi i Agim Veliut nga Kryesia e LDK-së është dëshmi që Lumir Abdixhiku është vegla e Albin Kurtit.
“Jo që kam ndonjë simpati për Agim Veliun. Por elektorati i LDK-së e zgjodhi Veliun deputet me jo pak vota. Spastrimi i tij nga kryesia e LDK-së është dëshmia e dytë që Lumir Abdixhiku është vegla e Albin Kurtit në LDK.”, ka thënë Kransiqi.
Ndërsa bashkëpartiaku i Kransiqit, Nol Nushi, ka thënë se dikur struktuarat zgjidhesin për t’iu përshtatur Thaçit tani po zgjedhen për t’iu përshtatur Kurtit.
“LDK vertete po reformohet. Dikur strukturat zgjidheshin per t’iu pershtatur Thaqit, sot po zgjidhen per t’iu pershtatur Kultit.
100.000 votuesit e zgjedhjeve te fundit te LDK, e kane votu partine perkunder presionit popullist. Sot ne struktura te larta te partise, ata kane zgjedhur njerez pishmonli. Pra ata jane pishman qe e kane prishur qeverine, pishman qe nuk e kane mbajtur Vjosen ndonese ajo nuk e perfillte partine.”, ka shkruar Nushi në Facebook.
Zgjedhja e strukturave të reja të partisë është bërë një javë pasi në krye të LDK-së erdhi Lumir Abdixhiku.