Një lajm ka qarkulluar sot në disa portale se situata më te infektuar në KEK, është alarmante. Telegramisot, pas këtij informacioni ka kontaktuar me u.d. të Kryeshefit Ekzekutiv të KEK-ut, Luigj Imeri, i cili deklaroi se është e vërtetë që në KEK, ka punëtorë të infektuar me Covid19, por i njëjti numër është i vogël dhe se menaxhmenti i KEK-ut ka marrë të gjitha masat në përputhje me Institutin e Shëndetit Publik dhe se nuk ka vend për panik.
Ky është shpjegimi i plotë i Z. Imeri mbi situatën në KEK:
Na lejoni të ju njoftojmë se gjendja aktuale në KEK si pasoje e pandemisë është si në vijim:
Menaxhmenti bashkë me punëtorët janë duke bërë përpjekje që edhe në këtë situatë të vështirë që po kalon vendi, të sigurojnë prodhim të pa ndërprerë të energjisë elektrike dhe qymyrit nga dy termocentralet dhe mihjet. Në këtë drejtim, KEK-u vazhdon me ndërmarrjen e të gjitha masave mbrojtëse duke u bazuar në rekomandimet e IKSHP-së dhe vendimet e ndërlidhura nga Qeveria e Kosovës.
Një nga masat e marra nga KEK-u, është dezinfektimi i rregullt i hapësirave në të gjitha njësitë prodhuese dhe po ashtu në autobusët që transportojnë punëtorët. Kontratat dhe buxheti për dezinfektim janë siguruar dhe janë urdhëruar te gjitha Shtabet e emergjencës/Zyrat e Sigurisë ne Pune ne te gjitha divizionet e KEK-ut te bëjnë dezinfektimin rregullisht.
Përkundër vështirësive të mëdha për shkak të mungesave në treg medicinal, KEK-u ka arritur ti pajise te gjithë 4000 punëtoret e tij me maska mbrojtëse nga virusi.
Me tej, janë liruar stafi me probleme shëndetësore, dhe është urdhëruar reduktimi qëndrimit në hapësira të përbashkëta. Stafi jo kritik për prodhim është obliguar të jenë në gjendje gatishmërie duke mundësuar që të gjitha operimet dhe proceset në të gjitha njësitë të funksionojnë pa asnjë pengesë.
Për më tepër, KEK gjithashtu është duke vazhduar me gjurmimin e të gjithë punëtorëve që dyshohet të kenë pasur kontakte me personat e infektuar duke i udhëzuar që paraprakisht të vetë izolohen duke shmangur kontaktet me familjarët dhe kolegët. Në këtë drejtim, KEK-u në bashkëpunim të ngushtë me IKSHPK-në, po vazhdon të ndërmerr të gjitha masat e nevojshme në mbrojtjen dhe parandalimin e përhapjes së pandemisë.
Deri me sot data 10.07.2020, në KEK kemi gjithsejte 26 punëtorë si raste aktive te infektuar me coronavirus, ndersa kemi 10 kolege tashme te shëruar nga infeksioni dhe 85 të izoluar si presona kontaktit.
Përndryshe, në objektin e Toskanës në sheshin “Nëna Terezë” ku gjenden zyret e Menaxhmentit të KEK-ut dhe disa divizione dhe shërbime te përbashkëta, gjate javës kanë rezultuar pozitiv tre kolegë tanë. Menjëherë pas konfirmimit të tyre, me qellim te evitimit te panikut tek stafi, ne kemi kontaktuar me IKSHPK dhe kemi kërkuar testim të shumicës së stafit me që kemi konsideruar se të njëjtit janë persona të kontaktit eventual te çastit me rastet pozitive.
Nga IKSHPK na kanë lajmëruar se vetëm personat me simptoma të COVID – 19 mund të testohen dhe personat që nuk kanë pasur kontakt të vazhdueshëm me të infektuarit nuk mund të cilësohen si persona të kontaktit dhe duhet të vijojnë punën duke i respektuar masat si bartjen e maskave dhe mbajtjen e distancës sociale. Andaj edhe përfaqësimi në seancë gjyqësore është bërë nga ndonjë zyrtarë i cili ka vijuar punën duke u bazuar në rekomandimet e IKSHPK si institucion përgjegjës për dhënien e rekomandimeve në këtë kohë pandemie. Telegramisot