Pejë – Mbrojtja e të pandehurit Azem Veseli dhe avokatja e tij, Ylberza Gllogjani, kanë reaguar ndaj ngritjes së aktakuzës për shperlarje të parave nga prokurorja Arlinda Nallbani Gacaferi, duke pretenduar se ky veprim është ndërmarrë përkundër faktit se ende nuk ishte shqyrtuar kërkesa për përjashtimin e saj nga rasti.


Sipas reagimit të dërguar për gazetën Telegramisot, mbrojtja thekson se prokurorja ka ngritur aktakuzën ndonëse paraprakisht ishte paraqitur kërkesë zyrtare për përjashtimin e saj, nga i dyshuari Azem Veseli, për të cilën ende nuk kishte një vendim nga kryeprokurorja e Prokurorisë në Pejë.
Në të njëjtën kohë, sipas avokates Gllogjani, kryeprokurorja e ka njoftuar atë se ankesa disiplinore e ushtruar ndaj prokurores Arlinda Nallbani Gacaferi është deleguar për shqyrtim në Këshilli Prokurorial i Kosovës.


Mbrojtja po ashtu pretendon se i pandehuri Azem Veseli dhe përfaqësuesja e tij ligjore nuk janë njoftuar zyrtarisht për ngritjen e aktakuzës përmes kanaleve institucionale, por këtë informacion e kanë marrë fillimisht përmes raportimeve në portale mediatike.


Avokatja Gllogjani e konsideron këtë situatë si shqetësuese nga aspekti procedural, duke theksuar se pritja e vendimit për kërkesën për përjashtim dhe respektimi i procedurave të njoftimit zyrtar janë elemente thelbësore për garantimin e një procesi të rregullt ligjor.
Deri në momentin e publikimit, nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Prokuroria lidhur me këto pretendime të paraqitura nga pala mbrojtëse.














