Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës do të hetojë rastin e vdekjes së Qerim Kelmendit, që është gjetur ditë më parë i djegur në fshatin Zahaq të Pejës.
Lajmin e kanë konfirmuar për Televizionin T7 familjarët e viktimës.
Vëllai i Kelmendit ka thënë për Televizionin se kjo tregon seriozitet të prokurorisë, megjithëse shton se ende asnjë prej familjarëve nuk janë marrë në pyetje nga hetuesia.
Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Qerim Kelmendi, javë më parë u gjet nga policia i djegur në veturën e tij në fshatin Zahaq të Komunës së Pejës.
Rrethanat se si ka ndodhur rasti ende nuk janë të qarta për organet e rendit. Rasti fillimisht është hetuar në Prokurorinë Themelore të Pejës, megjithatë, më vonë kompetencat i kanë kaluar Prokurorisë Speciale, kjo me qëllimin që të kryhen hetime më efikase.
Këtë e ka konfirmuar për Televizionin T7 zëdhënësi i prokurorisë, Shkodran Nikçi.
“Ju njoftojmë se ky rast gjatë ditës se sotme ka kaluar në kompetencë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ai.
Për kalimin e lëndës në prokurorinë speciale nuk kanë pasur informacione familjarët e të ndjerit.
Megjithatë, vëllai i Qerim Kelmendit, Osman Kelmendi i ka thënë televizionit se është mirë që Specialja po e trajton këtë rast.
“Po dëgjoj nga ju për këtë lajm, por është mirë që Specialja e ka marrë këtë rast, kjo tregon seriozitet .Ne i besojmë shtetit të Kosovës, por ende nuk jemi intervistuar nga Prokurorit”, ka deklaruar ai.
Qerim Kelmendi ishte një prej ushtarëve të parë të UÇK-së, mik i heroit Ilir Konushevci dhe vëllai i Ibrahim Kelmendit, njërit nga drejtuesit e Lëvizjes Popullore të Kosovës.
Për vrasjen e tij kanë reaguar presidenti i shtetit, Hashim Thaçi, ish-kryeministri Ramush Haradinaj dhe bashkëluftëtar të tij.