Kanë nisur t`i quajnë raste misterioze: janë pacientë të cilëve testi i tamponit u del negativ, por skaneri më pas zbulon pneumoni të rënduar, të ngjashme me atë të të prekurve nga Covid 19.
“ Këta pacientë janë shumë të ngjashëm me ata të koronavirusit, me ndryshimin që ky i fundit nuk del në provën e tamponit”, thotë Corriere della Sera, duke cituar ekspertë vendas. Sipas tyre, në raste të tilla virusi ka zbritur poshtë, cka do të thotë, sic thekson Mario Balzanelli, se mjekët duhet ta kërkojnë atë më në thellësi.
Sinjalizime për raste të tilla kanë mbërritur prej disa kohësh nga e gjithë Italia, vazhdon e përditëshmja e njohur.
Përpara disa ditësh, një grup radiologësh në Codogno së bashku me kolegë të Institutit Galeazzi të Milanos, publikuan një artikull i cili përshkruante një situatë anormale ku flitej për njerëz në dukje të shëndetshëm, me tampon negativ dhe ndërkohë me pneumoni.
Koronavirusi me sa duket, sipas tyre, mund t`i dëmtojë në heshtje mushkëritë edhe tek personat asimptomatikë. Codogno ishte zona e parë e kuqe e Italisë pas zbulimit të pacientit 1 atje në datën 20 shkurt.