Madje, Bashkësia Islame e Pejës nuk e ka njoftuar atë as për vazhdim apo ndërprerje të kontratës, edhe pse ka mbi 10 vite punë si imam.
Hajzeri më 16 gusht i ka bërë 10 vite punë si imam në Bashkësinë Islame të Pejës, dhe sipas ligjit kur një punëtor ka marrëdhënie pune me kontratë të caktuar dhe i mbush 10 vite punë, kontrata në mënyrë të heshtur apo të qartë, bëhet kontratë me afat të pacaktuar, ndërsa një kontratë e tillë u është konfirmuar imamëve të tjerë në Pejë, por jo edhe Hajzerit.
E gjithë përplasja mes Hajzerit e Bashkësia Islame në Pejë, TelegramiSot mëson së ka ardhur për shkak se imami kishte dhënë një deklaratë në Prokurorin Themelore të Pejës, për humbjen e disa pronave të BIK-ut në Pejë, që kapin vlerën rreth 50 mijë euro humbje.
Sipas deklaratës së tij dhënë Prokurorisë nuk dihet se a janë shitur këto prona apo çfarë ka ndodhur me to.
Hajzeri po ashtu ka dërguar një shkresë në Bashkësinë Islame të Pejës, ku ka kërkuar që të pajiset me kontratë me afat të pacaktuar. As për këtë nuk ka marrë ndonjë përgjigje.
TelegramiSot ka kontaktuar edhe me kreun e Bashkësisë Islame në Pejë, Musli Arifajn. Por ai, sapo e ka dëgjuar pyetjen, ka thënë se nuk është i gatshëm për të dhënë deklaratë dhe e ka ndalur telefonin.
Po ashtu, për këtë çështje, TelegramiSot ka dërguar pyetje edhe në Bashkësinë Islame të Kosovës në Prishtinë, por as ata deri në publikimin e këtij artikulli nuk janë përgjigjur.
Për këtë rast Hajzeri ka angazhuar avokatin Leotrim Syla.
Syla ka sqaruar për TelegramiSot se Hajzeri më 16 gusht të viti 2020, ka mbushur 10 vite punë, ndërsa në dhjetor i ka skaduar kontrata që e kishte më afat të caktuar dhe e njëjta, sipas ligjit, Hajzerit duhej t’i ofrohej kontrata për afat të pacaktuar.
Syla po ashtu ka thënë për TelegramiSot, se lidhur me këtë Hajzeri ka bërë kërkesë në Bashkësinë Islame të Pejës që t’i dërgohet kontrata me afat të pacaktuar, por nuk i është bërë diçka e tillë. Prandaj ai thotë se më 31 dhjetor 2020, u janë drejtuar me një shkresë, që t’u dorëzohet kontrata dhe të bëhet sistemimi i Hajzerit në një vend tjetër, pasi që kontrata me afat të caktuar deri më 31 dhjetor veç ka skaduar. Por as për këtë Syla thotë se ende nuk marrë përgjigje.
“Çështja është që Z.Hajzeri me 16 gusht 2010 ka lidhur marrëdhënie punë me Bashkësinë Islame në Pejë, dhe për një verifikim të tillë ka bërë kërkesë dhe ka marrë një verifikim të tillë në vitin 2011 prej kryetarit të Bashkësisë Islame në Pejë, ku theksohet se me 16.08. 2010 është nis marrëdhënia e punë dhe vazhdon akoma. Me 16.08.2020 Hajzeri i ka mbushur 10 vite punë, duke qenë në marrëdhënie punë ai ka pasur një kontratë e cila i ka skaduar me 31 dhjetor 2020, d.m.th duke i vazhduar kontrata paraprake i ka bërë 10 vite. Ligji i punë i Kosovës, thotë që kur një punëtor ka marrëdhënie pune me kontratë të caktuar dhe i mbush 10 vite, kontrata në mënyrë të heshtur apo të qartë, bëhet kontratë me afat të pacaktuar. D.m.th gjatë rrjedhjes së kontratës me afat të caktuar, atij iu është bërë një kontratë me afat të pacaktuar. Lidhur me këtë ka bërë kërkesë që t’i dërgohet kontrata me afat të pacaktuar, pra me u kry formaliteti. Por nuk i është bërë diçka e tillë. Në fakt nuk ka marrë përgjigje hiç. Dhe në lidhje me këtë pas datës 31 dhjetor 2020 ju kemi drejtuar me një shkresë, që të na dorëzohet kontrata dhe të behët sistemimi i Hajzerit në një vend tjetër, pasi që kontrata me afat të caktuar deri me 31 dhjetor veç ka skaduar. Nuk kemi marrë përgjigje lidhur me këtë, jemi brenda afatit 30 ditore. Z. Hajzeri ka tentuar që të kontaktojë më Këshillin e Bashkësisë Islame, por ende nuk ka marrë përgjigje. Pra jemi duke pritur se a po reflektojnë. Shkresën e kemi dërguar në Pejë, sipas informatave shkresa ka shku në Këshillin e Bashkësisë Islame në Pejë dhe është dërguar në zyrën ligjore në Prishtinë, d.m.th është duke u trajtuar, por përgjigje ende nuk kemi marrë”, ka thënë Syla.
Ndërsa sa i përket çështjes së mos marrjes së pagës, Syla thotë se në shkresë nuk e kanë përmendur çështjen e rrogës, pasi është dërguar më herët. Por që për këtë ka paralajmëruar një shkresë tjetër për kompensim të pagës.
“Rrogën e muajit janar nuk e ka marrë. Vetëm se ne shkresën e kemi dorëza ende pa e ditur se del rroga apo jo, prandaj në shkresë nuk e kemi përmendur. Prandaj do ta nisim një shkresë tjetër për kompensim të pagës”, ka thënë Syla.
Ndërkohë, edhe pse 4 xhami në Pejë që dy vite janë pa imam, Hajzeri deri me tani nuk është akomoduar në asnjërën prej tyre, përkundër kërkesës së tij.
Hajzeri ka qenë imam i angazhuar në një xhami në Rugovë deri në dhjetor, ndërsa nga 1 janari duhej të akomodohej në “Tahtali Xhamia” në Pejë, në të cilin aktualisht zëvendës është një imam, ndaj të cilit janë ngritur dy kallëzime penale për keqpërdorim të xhamisë, njëri për shkatërrim të monumenteve të vjetra dhe tjetri për ushtrim ilegal te veprimtarisë mjekësore në xhami.