Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, së bashku me deputetët e partisë, kanë nisur zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e ardhshme nga Prekazi, vendi i komandantit legjendar Adem Jashari.
Duke vizituar varrin e Adem Jasharit dhe familjes së tij, Haradinaj ka theksuar rëndësinë e Prekazit si simbol i unitetit dhe përkushtimit për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Prekazi është vendi që na bashkon. Prekazi është betimi ynë për shtet e atdhe, liri e demokraci. Nga këtu nisemi për Kosovën Fituese me numrin 137. Rroftë Kosova!” – ka deklaruar Haradinaj.
Me këtë akt, AAK-ja shpreh vendosmërinë për të ndjekur rrugën e atyre që sakrifikuan për lirinë e Kosovës dhe për të çuar përpara aspiratat për zhvillim, mirëqenie dhe drejtësi për qytetarët.
Fushata e AAK-së do të përqendrohet në adresimin e sfidave kryesore të vendit, duke ofruar zgjidhje të bazuara në përvojën dhe vizionin politik të kësaj force.