Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar se është ndryshuar orari i kufizimit të lëvizjes së qytetarëve, për të frenuar përhapjen e koronavirusit në Kosovë.
“Ministria e Shëndetësisë në koordinim të plotë me GNMI, MPB dhe ministritë e linjës, konform Planit të Veprimit Kombëtar dhe në pajtim të plotë me masat emergjente të aprovuara nga Qeveria e Kosovës, pas analizimit të situatës epidemiologjike, monitorimit të kujdesshëm të këtyre ditëve, njofton se posa i ka propozuar Kryeministrit në detyrë Albin Kurti, dhe qeverisë në detyrë të Republikës plotësim-ndryshimin e vendimeve në raport me masat të cilat kanë për qëllim mbrojtjen shëndetit publik”, ka njoftuar Vitia.
Ai ka bërë të ditur se është propozuar edhe ndryshimi i vendimit sa i përket orareve të qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve.
“Tani ky kufizim do të jetë nga ora 17:00 deri në orën 06:00”, thuhet në njoftimin që e ka bërë ministri Arben Vitia.
“Të dashur qytetarë, bashkëpunimi juaj, vetdisiplina, kujdesi dhe solidariteti janë jetike në këtë betejë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të jemi bashkë në administrimin e kësaj situate. Ju lutem që të mirëkuptoni, ndiqni dhe të zbatoni të gjitha masat e reja.
Për çdo shkelje të masave të përcaktuara, do të shqiptohen dënimet konform dispozitave ligjore”, thuhet në njoftim.
Për propozimin e Vitisë, Qeveria në detyrë ka marrë vendim mbrëmë.
“Ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private gjatë orës 17:00-06:00 përveç nevojave mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale (ushqim dhe barna për njerëz dhe kafshë/shpezë), dhe për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhim të pandemisë (menaxhmenti dhe personeli esencial qeveritar dhe komunal nga këta sektorë: shëndetësi, siguri dhe administratë shtetërore)”, thuhet në njoftimin e ZKM’së.