Liza Gashi, zëvendësministre në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, ka bërë të ditur se Kartoni i Gjelbër për vitin 2020 është falas për të gjithë ata që vijnë në Kosovë, derisa po punohet edhe në lirimin e biletave për të gjithë ata që vijnë nga diaspora në Prishtinë.
Ajo ka pohuar se udhëtarët që shfrytëzojnë transportin ajror, do të ofrohen incentiva për koncesionarin e aeroportit “Adem Jashari”, me synim uljen e kostos së biletave të udhëtimit drejt Kosovës, dhe rritjen e destinacioneve që do të mbulohen nga agjencitë që ofrojnë fluturime nga dhe drejt Kosovës”, shkruan Reporteri.net
Postimi i saj:
Qeveria në detyrë e Kosovës, në kuadër të Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike, në vlerë prej rreth 1.26 miliardë euro, të cilën e ka prezentuar Ministri i Financave dhe Transfereve, z.Besnik Bislimi, ka planifikuar që të marrë përsipër mbulimin e kostos së policave kufitare apo siç njihen si “Karton i Gjelbërt”, për automjetet që hyjnë në Kosovë për vitin 2020.
Shumë shpesh është premtuar zgjidhja për “Kartonin e Gjelbërt”, por asnjëherë nuk kemi parë hapa konkret për zgjidhjen e këtij problemi që prek më së shumti #diasporën tonë. Jam e lumtur që për herë të parë, në vetëm disa javë përgatitje, si qeveri e Kosovës kemi vepruar në këtë drejtim.
Po ashtu, në kuadër të pakos është planifikuar që në 24 muajt në vijim, të emetohen letra me vlerë në masën e 30 milionë eurove tek diaspora jonë. Këto letra me vlerë do të kenë një maturitet afatgjatë dhe do të ofrojnë kushte dukshëm më të volitshme për kursimet e diasporës. Përmes kësaj mase, diaspora do të avancohet në bashkëpronare të procesit të rimëkëmbjes ekonomike të vendit.
Për udhëtarët që shfrytëzojnë transportin ajror, do të ofrohen incentiva për koncesionarin e aeroportit “Adem Jashari”, me synim uljen e kostos së biletave të udhëtimit drejt Kosovës, dhe rritjen e destinacioneve që do të mbulohen nga agjencitë që ofrojnë fluturime nga dhe drejt Kosovës.