Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, ka prezantuar për miratim shtesat për rrezikshmërinë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës, ku ka thënë se edhe të mërkurën kanë diskutuar gjatë rreth kërkesave të tyre.
Sipas Kurtit, ndarja e shtesave për rrezikshmërinë është bërë në konsideratë më punën e tyre.
“Shtesat për rrezikshmërinë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës, do të prezantohen për miratim sot. Dje kishim një takim me zëvendësdrejtorin e Policisë dhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës me të cilët diskutuam gjatë rreth kërkesave të tyre dhe arsyeshmërisë sonë mbi kategorizimin dhe vlerave të rrezikshmërisë”.
“Në takim së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, i njoftuam se kategorizimi është bërë me kujdes të shtuar duke marrë në konsideratë edhe punën e tyre”, ka thënë kreu i ekzekutivit.
Ndërsa, ka shtuar se shtesa për rrezikshmërinë do të nis së aplikuari nga fundi i muajit nëntor.
“Si përfundim shtesa për rrezikshmërinë do të nis së aplikuari nga fundi i muajit nëntor, për muajt e deritanishëm nga hyrja në fuqi e ligjit të ri për paga ajo do të ndahet në mënyrë retroaktive me aprovimin e këtij vendimi pritet të përfitojnë rreth 8 mijë zyrtarë policorë apo saktësisht 7 mijë e 991”.