Ministria e Kulturës i është drejtuar Dioqezës Rashkë-Prizren dhe Peshkopit Teodosije me një shkresë zyrtare për bashkërendim në ndërhyrjet e nevojshme për restaurimin e sanimin e dëmeve në Manastirin e Basnjkës pas sulmit terrorist që ndodhi më 24 shtator.
Dioqeza Rashkë-Prizren kishte refuzuar që institucionet e Kosovës të sanonin dëmin.
Ministri Hajrulla Çeku ka ftuar autoritetet e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë që bashkëveprojnë për këtë qëllim.
“Zotimin e dhënë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të datës 27 shtator 2023 për sanimin e dëmeve në Manastirin e Banjskës në Zveçan, të shkaktuara nga sulmi terrorist i datës 24 shtator, po e konkretizojmë më shkresën zyrtare drejtuar Dioqezës Rashkë – Prizren. Konform detyrimeve, autorizimeve kushtetuese dhe ligjore ftojmë autoritetet e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë për bashkërendim të veprimeve deri në ndërhyrjet e nevojshme restauruese për sanimin e dëmeve në këtë aset të trashëgimisë kulturore”, ka shkruar Çeku.
Ai ka publikuar edhe shkresën me të cilën i është drejtuar Dioqezës Rashkë-Prizren./Express/