Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të presë sot në qytetin Zhukovski homologun turk, Recep Tayyip Erdogan.
Në një njoftim të Kremlinit thuhet se dy presidentët do të bisedojnë për luftën në Siri dhe për “zhvillimin e mëtejmë të bashkëpunimit Rusi-Turqi”.
Vizita e Erdoganit vjen pasi sulmet ajrore të Qeverisë siriane goditën provincën e kontrolluar nga rebelët, Idlib, ku Moska dhe Ankaraja kanë krijuar një zonë të çmilitarizuar.
“Ka probleme që dalin nga shkeljet që po i bën regjimi në Idlib. Shpresojmë t’i eleminojmë këto probleme sa më shpejt”, tha të hënën Erdogan.
Sipas gazetës turke Hurriyet, Erdogan po ashtu tha se trupat tokësore turke do të hyjnë në Siri “së shpejti”.
Lufta civile në Siri ka nisur qysh në vitin 2011. Sipas shifrave të Kombeve të Bashkuara, rreth 400 mijë sirianë janë vrarë.
Afro 6 milionë sirianë kanë ikur nga vendi dhe më shumë se 6.1 milionë të tjerë janë zhvendosur brendapërbrenda.
Turqia mbështet disa grupe rebele që duan rrëzimin e regjimit në Siri, ndërsa Rusia është mbështetëse e fuqishme e presidentit sirian, Bashar al-Assad.