Punonjëses së kompanisë “Elkos” i janë grabitur një shumë e konsiderueshme parash mëngjesin e sotëm. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të një banke të nivelit të dytë në Fushë Kosovë ndërsa punëtorja kishte shkuar për t’i dorëzuar paratë në bankë.
Për shkak të hetimeve, shuma e të hollave e cila është grabitur nuk bëhet e ditur por burimet e KosovaPress thonë se ajo është mbi 10 mijë euro, ndërsa ngjarja ka ndodhur në parkingun e bankës që gjendet në afërsi të rrethit në Fushe Kosovë.
Punëtorja, e cila ishte shoqëruar edhe nga një punëtor i sigurimit, kanë qenë duke e parkuar veturën, kur iu janë afruar persona të panjohur dhe e kanë thyer xhamin e veturës dhe i kanë marrë paratë.
Ende nuk dihet se sa persona kanë qenë të përfshirë në këtë vjedhje, por dëshmitarët flasin për më shumë se dy persona.