Formimi i qeverisë së re duket të jetë tashmë një çështje e kryer shkruan gazetari Astrit Gashi. Sipas tij në kuptimin politik të fjalës kjo punë është kryer. Gashi shton se në qendër të këtij konfigurimi qëndrojnë Albin Kurti dhe Fatmir Limaj, të cilët pritet të sigurojnë numrat e nevojshëm për ndërtimin e një shumice parlamentare funksionale.
Në këtë formulë, përfshihet gjithashtu edhe presidentja Vjosa Osmani, përmes partisë së saj politike, e cila pritet të ketë një rol të garantuar në legjislaturën e ardhshme, ndërkohë që përflitet se një mandat i dytë presidencial është i sigurt përmes mbështetjes së liderit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Megjithëse Lëvizja Vetëvendosje mbetet forca më e madhe parlamentare, një zhvillim interesant dhe politikisht simbolik është se ajo nuk do ta ketë kryetarin e Kuvendit, pozitë që, sipas burimeve politike, do t’i takojë Fatmir Limajt – një rikthim me peshë në skenën institucionale.
Në këtë riorganizim të brendshëm, po ashtu shihet një ndryshim në udhëheqjen e Grupit Parlamentar të VV-së, ku Mimoza Kusari-Lila nuk do ta mbajë më pozicionin e shefes së grupit; vendin e saj pritet ta zërë Glauk Konjufca, një figurë me profil më institucional dhe më të lidhur me thelbin ideologjik të partisë. Nese nuk e drejton Ministrinë e Puneve të Jashtme!
Në anën tjetër të spektrit politik, opozita pritet të përballet me vështirësi serioze për të ushtruar funksionin kritik dhe përfaqësues që i takon.
Struktura aktuale opozitare në Kuvend përbëhet nga figura që shpesh mungojnë në oratori, profil publik dhe kapacitet për artikulim të qartë të alternativës politike. Liderë si Lumir Abdixhiku dhe Memli Krasniqi ndonëse mbajnë pozita formale udhëheqjeje përballen me mungesë autoriteti të brendshëm në parti, gjë që e dobëson kohezionin opozitar.
Një tjetër zhvillim që ilustron fragmentimin e mëtejshëm të opozitës është situata në AAK, e cila, nën udhëheqjen e Ramush Haradinajt, duket se po shndërrohet në një parti me bazë lokale, përqendruar kryesisht në zonën e Gllogjanit dhe Jabllanicës, dhe me gjithnjë e më pak ndikim real në politikën kombëtare.