Para disa orësh, portali i afërt me zëvendëskryeministrin Haki Abazi, ka publikuar një lajm ‘ekskluziv’ në lidhje me bisedën telefonike ndërmjet kryeministrit Albin Kurti, me të dërguarin e posaçëm të presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, shkruan Gazeta Insajderi.
Në këtë shkrim, po ashtu tregohet se Kurti ka biseduar edhe me këshilltarin për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien.
Ndonëse këto informata portali Kallxo.com thonë se i kanë siguruar nga një burim i zyrës së kryeministrit, ato duket se janë siguruar nga zëvendëskryeministri Haki Abazi, i cili një gjë të tillë, e tha para pak minutash edhe në emisionin Debat Plus.
Abazi, pohoi po ashtu edhe në Debat Plus se kryeministri Kurti nuk ka mundur të ju përgjigjet thirrjeve që kanë ardhur mbrëmë pas mesnate nga Ambasada Amerikane, mirëpo atyre u është përgjigjur sot.
Kujtojmë se i dërguarin i posaçëm i presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, është shprehur kundër idesë së kryeministrit Albin Kurti, për heqjen e pjesërishme të taksës dhe zëvendësimin gradual të saj me reciprocitet. Teksa ka thënë se kushtet e Kurtit nuk pranohen.