Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Vlorës para dy ditësh, ku 58-vjeçari Renato Hoxhaj është ekzekutuar me armë zjarri në zonën e lagjes Hajro Çakërri.
Kamerat e sigurisë pranë vendngjarjes kanë kapur një person të maskuar me kapelë dhe maskë që i mbulon fytyrën, i cili dyshohet të jetë autori ose një nga autorët e vrasjes, raporton Top Channel.
Sipas TCH, hetimet janë përqendruar në disa qytete të vendit, ndërsa një prej personave të dyshuar është arrestuar mbrëmjen e djeshme në Tiranë.
Në vendngjarje janë gjetur katër gëzhoja të një arme tip pistoletë 9 mm. Hoxhaj ka marrë dy plumba në kokë dhe dy të tjerë në trup, duke ndërruar jetë në vend.
Bashkëjetuesja e viktimës ka deklaruar për hetuesit se nuk ishte në dijeni të ndonjë konflikti që mund të kishte Hoxhaj. Ajo ka dëgjuar të shtënat, por në fillim ka menduar se bëhej fjalë për fishekzjarre.
Policia e Vlorës ka konfirmuar se viktima nuk rezulton të ketë qenë person me të kaluar kriminale, ndërsa hetimet po vijojnë për të zbardhur motivin dhe autorët e ngjarjes së rëndë.